Balla: Keqardhje për mungesën e një vendimi nga Këshilli Europian, Shqipëria i përmbushi kriteret

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se “në të gjithë Shqipërinë ka një keqardhje nga mungesa e një vendimi nga ana e Këshillit Europian, por ne si shqiptarë duhet të jemi krenarë që arsyet e refuzimit nuk lidhen me diçka që Shqipëria nuk ka arritur ta bëjë”.

Në fjalën e tij në prezantimin e projektit të qeverisë gjermane në Cërrik, Balla tha se “Bashkimi Europian në strukturën e vet përbëhet nga tre institucione bazë, Këshilli, Parlamenti dhe Komisioni. Komisioni Europian rekomandoi në qershor të këtij viti që Shqipërisë t’i hapen bisedimet për anëtarësim, bazuar në një analizë faktike dhe shumë të detajuar lidhur me atë që Shqipëria ka realizuar në 5 prioritetet bazë, ndër të cilat padyshim guri i themelit mbetet Reforma në Drejtësi”.

“Po kështu edhe Parlamenti Europian, 11 muaj më parë miratoi një rezolutë që vlerëson se Shqipëria i ka përmbushur kriteret. Tani po brenda BE-së, Këshilli nuk bie dakord, ose thënë qartë, refuzon vendimin e institucioneve të veta. Mendoj që kjo më shumë është një çështje e kredibilitetit të vetë BE-së sesa e procesit që lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Maqedonisë së Veriut ju desh të bënte diçka, që rrallë popuj e bëjnë, siç është të pranosh të ndryshosh emrin për të hyrë në BE”, – nënvizoi Balla.

Balla u shpreh se “Shqipëria ndërkohë ka ndryshuar Kushtetutën për të ndryshuar tërësisht sistemin e drejtësisë në vend, për të pastruar këtë sistem nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Madje, jemi i vetmi vend në Europë që kemi pranuar të fusin në Kushtetutë parashikimet për një operacion ndërkombëtar monitorimi, i cili të verifikojë gjithë këtë proces të implementimit të Reformës në Drejtësi. Këto janë reforma që ne i kemi bërë me bindjen që edhe BE do t’i qëndrojë, le të themi, angazhimit të vet”.

Para dy vitesh, vijoi Balla, na u tha që, sapo procesi i Vetingut të fillojë të japë rezultate, negociatat do të hapen.

“Tani, nga procesi i Vetingut kanë kaluar rreth 200 gjyqtarë e prokurorë, e për fatin e mirë të shqiptarëve, gati gjysma nuk e kanë kaluar këtë proces. Edhe për sa i përket një argumenti që u përdor nga Presidenti francez, lidhur me numrin e azilkërkuesve shqiptarë në Francë, numri i azilkërkuesve shqiptarë në Francë është i pakonsiderueshëm në krahasim me numrin e azilkërkuesve të Rumanisë apo Bullgarisë, apo Kroacisë. Raporti mund të jetë 1 me 100. Pra pretendimi i azilkërkuesve nuk qëndron”,- tha Balla.

Ai theksoi se “jemi sot në fillimin e këtij projekti teksa në Bruksel Këshilli Europian diskutoi lidhur me vendimin për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Është një proces shumë i rëndësishëm, por nëse e krahasojmë është si një nxënës që ka mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e mesme dhe për arsye që vetëm Franca i di, i refuzohet e drejta për të shkuar në universitet. Është si historia e regjimit të kaluar që nxënësit të mirë, nëse kishte biografi të keqe, s’i jepej e drejta e shkollimit”.

Duke folur për projektin gjerman në Cërrik, Balla u shpreh se “dua ta falënderoj qeverinë gjermane edhe për atë që bëri në Bruksel, edhe për këtë projekt këtu në Cërrik”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.