Antiinformaliteti, Ibrahimaj: Gjatë periudhës korrik-shtator, 6 206 kontrolle në terren

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Gjatë periudhës 4 korrik-30 shtator 2019, në kuadër të luftës kundër informalitetit janë kryer 6 206 kontrolle dhe janë konstatuar 2 412 shkelje të legjislacionit tatimor, të fokusuar në sektorin e turizmit.

Kështu bëri të ditur sot drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një takim me përfaqësues të medies, ku foli mbi rezultatet dhe vijimësinë e planit operacional kundër informalitetit deri në fund të muajit dhjetor 2019.

Sipas saj “strukturat e monitorimit në terren, vazhdojnë verifikimet në të gjithë territorin e vendit, të mbështetur në listat e riskut dhe denoncimet qe vijnë nga qytetarët përmes aplikacionit ‘StopInformalitetit'”.

Vetëm në dy javët e para të këtij muaji, Ibrahimaj tha se “janë kryer 1 334 kontrolle, ndërsa janë konstatuar 239 shkelje të legjislacionit tatimor”.

“13 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore; 33 tatimpagues të penalizuar për shkeljen e moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë), ndërsa 2 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë); 29 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 20 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i vogël” dhe 9 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh””, tha ajo.

Po ashtu, sipas Ibrahimaj, “14 tatimpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale dhe 16 tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune”.

“60 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor. Në bashkëpunim me DPM, përmbyllëm në kohë rekord (gusht-shtator), kontrollin dhe certifikimin e regjimit automatik në të 1117 subjektet dhe 2176 instrumentave matës, që tregtojnë hidrokarbure dhe gaz të lëngshëm në të gjithë Shqipërinë. Krahas bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Inspektoratin e Punës dhe institucione të tjera të linjës, Administrata Tatimore ka punuar fort për të ndërtuar dhe zbatuar një plan veprimi të mirëstrukturuar”, tha ajo.

Ibrahimaj tha se “janë përcaktuar në nivel DRT-je, zonat kryesore ku ka më shumë veprimtari dhe ku vlerësohet që informaliteti të jetë më i madh dhe sektorët me risk potencial të shtuar varësisht specifikave të tyre”.

“Janë 2419 tatimpagues të ndarë sipas sektorëve, të identifikuar për verifikim. Do të realizojmë vlerësime tatimore për 3 muajt e fundit, për tatimpagues të regjistruar në përgjegjësinë tatimore të TVSH-së, të penalizuar për moslëshim kuponi”, shtoi ajo.

Për sa i përket ndryshimit të përgjegjësisë tatimore, Ibrahimaj tha se “janë 426 tatimpagues që kanë kaluar pragun e regjistrimit, të cilët i nxisim të bëjnë ndryshimet e përgjegjësisë, ndërsa do të verifikohen të gjitha ato subjekte që evidentohen me mall pa faturë nga strukturat e monitorimit në terren”.

“Për tatimpaguesit e identifikuar me rënie në qarkullim janë realizuar vizita fiskale me një program pune të detajuar për të identifikuar, parandaluar dhe luftuar evazionin fiskal. Nga 159 subjekte të identifikuara me risk në fushën e ndërtimit, kanë përfunduar 114 vizita fiskale në këto subjekte. Në fushën e hidrokarbureve u identifikuan 153 tatimpagues me risk. Në 112 prej tyre kanë përfunduar vizitat fiskale. Njoftimi i këtyre vizitave fiskale ka ndërgjegjësuar ndjeshëm tatimpaguesit duke vetëkorrigjuar situatën e tyre dhe duke rritur vetëdeklarimet”, tha ajo./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.