7200 punëdhënës nëndeklarojnë pagat e punonjësve

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e fokusuar te ndjekja e nivelit të pagave për profesione të ndryshme, ndërkohë që nga analiza e riskut mbi nivelin e pagave, janë identifikuar 7200 punëdhënës që nëndeklarojnë pagat e punonjësve të disa profesioneve të mirëpaguara.

Këtë e bëri të ditur sot drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një takim me përfaqësues të medies, ku foli mbi rezultatet dhe vijimësinë e planit operacional kundër informalitetit deri në fund të muajit dhjetor 2019.

Sipas saj, janë 13 400 individë që ndikohen nga nëndeklarimi i pagave edhe për të ardhmen e tyre në vlerën e pensionit.

Po ashtu, Ibrahimaj tha se “është bërë verifikimi për punonjës të paregjistruar specifikisht në sektorin e ndërtimit, call center dhe të fasonerisë, mbështetur në modulin e përcaktuar të riskut”.

Sipas saj, “rezultojnë 292 tatimpagues të regjistruar si Call Center, ku ndër të tjera 61 tatimpagues nuk kanë asnjë të punësuar dhe 130 të tjerë kanë të punësuar 1 deri në 10 punonjës”.

“Rezultojnë 669 tatimpagues të regjistruar në fushën e fasonerisë ku 21 tatimpagues nuk kanë asnjë të punësuar; 32 tatimpagues kanë vetëm 1 të punësuar; 103 tatimpagues kanë të punësuar 2 deri në 10 punonjës, e kështu me radhë në një situatë që orienton verifikimin për punonjës të paregjistruar. Rezultojnë 4866 tatimpagues në fushën e ndërtimit, në të njëjtën situatë, ku 1484 subjekte rezultojnë me vetëm një punonjës. Secili do të verifikohet”, tha ajo.

Duke folur për aksionin kundër informalitetit, Ibrahimaj tha se “që në muajin korrik ju siguruam se ky plan nuk është i përkohshëm dhe i lidhur ngushtësisht me sezonin turistik”.

“Do të vazhdojë me një qasje të mbështetur në analizën e riskut, i shtrirë në disa sektorë dhe i koordinuar në të gjitha drejtoritë rajonale me qëllim respektimin e ligjit njësoj nga të gjithë”, tha ajo.

Plani kundër informalitetit, sipas saj, “synon së pari, ndërgjegjësimin e të gjithëve se respektimi i ligjit është detyrim i njëjtë për të gjithë dhe në të mirën e përbashkët”.

“Administrata Tatimore, në nivel DRT ka evidentuar tatimpaguesit që kontribojnë në 70% të realizimit të planit, me të cilët do të organizohen takime sensibilizuese për rritje të vetëdeklarimit dhe përmirësim të treguesve fiskalë”, tha ajo.

Ibrahimaj ftoi të gjithë tatimpaguesit të vetëdeklarojnë në mënyrë korrekte e në respektim të ligjit, duke ju siguruar se lufta kundër informalitetit do të përfshijë çdo subjekt, që prish konkurrencën e ndershme në treg.

“Ne do të vijojmë të informojmë të gjitha subjektet dhe qytetarin shqiptar me informacionin e nevojshëm orientues për deklarimin korrekt tatimor, dhe do të vijojmë të bëjmë punën tonë për ta garantuar këtë”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.