Vlorë/ Finalizohet operacioni kundër narkotikëve, ndalohen 7 persona

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Në kuadër të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me FNSH Fier kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Vjeshta”.

Në një deklaratë për shtyp, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Artion Duka tha se “ky operacion është realizuar në kuadër të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, të cilat kanë zgjatur për një periudhë 6-mujore”.

Sipas tij, operacioni është përqendruar në dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal kryesisht kundër ”Kultivimit të bimëve narkotike”, por edhe veprave të tjera penale si ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, ”Shpërdorimi i detyrës”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe ”Moskallëzimi i krimit”.

Duka tha se, gjatë këtij hetimi është dokumentuar në mënyrë të plotë e të gjithanshme ky aktivitet kriminal për një nga zonat me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike, siç janë Njësitë Administrative të Bashkisë Selenicë.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë ekzekutuar urdhrat e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për arrestimin e 7 shtetasve, ndërsa u shpallën në kërkim 3 shtetas të tjerë.

Në vazhdimësi të këtij hetimi, janë evidentuar 24 raste të kultivimit të bimëve narkotike në 5 Njësitë Administrative (Armen, Sevaster, Brataj, Kotë dhe Vllahinë), ku më parë janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 16 persona (8 të arrestuar, 4 në kërkim, 4 në gjendje të lirë).

Po ashtu “janë sekuestruar 3 armë zjarri, 1 226 000 lekë dhe 4 850 €uro, 3 automjete dhe 19 aparate celulare, si dhe janë asgjësuar bimë dhe fidanë kanabis sativa”.

Duka tha se “vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, si dhe po punohet për kapjen e personave të shpallur në kërkim”./m.m/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.