Roskovec, vijojnë me ritme të larta punimet për transformimin e qytetit

TIRANË, 17 tetor/ATSH/- Në qytetin e Roskovecit po vijojnë me ritëm të lartë punimet për “Rikualifikimin urban të bllokut nr 2” në Roskovec.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se aktualisht po shtrohen me kubik guri 10×10 rrugicat dhe sheshet brenda bllokut të banimit, si dhe veshja me pllaka guri 50×50 të shkallëve para godinës së re të bashkisë.

Sipas FSHZH-së, kanë përfunduar suvatimet e brendshme dhe sistemi kapot në godinën e re të bashkisë dhe ndërkohë vazhdon puna me veshjen me terakot të fasadës.

Me financim nga qeveria shqiptare, kjo ndërhyrje parashikon zhvillimin e aktivitetit urban, për banorët e zonës.

“Rreth 3.5 ha është hapësira e trajtuar e projektit, ku përveç rritjes së funksionalitetit të saj për qytetarët, do të ofrojë dhe një uniformitet estetik të bllokut nr.2”, thekson FSHZH.

Projekti gjithashtu parashikon rikonstruksionin e gjithë sheshit të bllokut numër 2 dhe shtrimin e tij me pllaka guri, rehabilitimin e të gjitha fasadave përgjatë këtij blloku. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet fasadave të ndërtesave, të cilat do të trajtohen tërësisht në të gjithë elementët përkatës.

Pjesë e projektit është edhe rikonstruksioni i rrugës kryesore të bllokut, që do të pajiset edhe me sinjalistikë, ndriçim dhe gjelbërim./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.