Projekti/ Dritë mbi mendimin politik ndryshe gjatë komunizmit

TIRANË, 17 tetor /ATSH – I. Vata/- Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nis projektin ambicioz të studimit të figurave politike të së majtës dhe së djathtës gjatë periudhës së komunizmit nëpërmjet materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Projekti është në ndërtim e sipër dhe synon të hedhë dritë në historinë e mendimit politik ndryshe gjatë komunizmit, përmes profilizimit të figurave dhe rolit që ata patën në Shqipërinë e pasluftës.

“Në vijim të idesë së bërë publike më herët dhe hapave të parë për studimin e mendimit politik të së majtës dhe të djathtës shqiptare gjatë regjimit komunist, sot në Autoritet u mblodh një ekip për studimin e figurave të së majtës, i cili synon të punojë në një projekt ambicioz, të mbështetur nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung”, sqaroi Autoriteti.

Po ashtu, bëhet e ditur se “Dhjetë personalitete të njohur e më pak të njohur të së majtës, që me qëndrimet e veta morën tjetër drejtim nga ai i Partisë shtet, do të trajtohen në mënyrë multidisiplinare dhe nëpërmjet materialeve që ish-Sigurimi i Shtetit mbante për ta”.

Ky hap i parë do të ndiqet nga të tjerë emra, grupe e ngjarje historike, dhe do të pasurojë studimet në këtë fushë, me kontributin e të gjithë të interesuarve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.