Në 2018 rritja ekonomike 4.1%, ulëm borxhin

TIRANË, 17 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Në 2018 ne e çuam rritjen ekonomike në 4,1%, ose 4 herë më shumë se sa e gjetëm”, deklaroi sot, kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Gjatë diskutimit të Kuvend të buxhetit faktik për vitin 2018, Ahmetaj tha se “lajtmotivi dhe shtylla kryesore e vitit 2018 ishte rritja me 4,5% e prodhimit të brendshëm bruto”.

“Thelbi kryesor është rritja ekonomike. Në debatin nëse duhet të rritemi 4%, apo 7%, apo 10% sigurisht që fiton dhjeta, por e morëm 1% dhe e çuam 4,1% rritjen ekonomike. 4 herë më shumë në kushtet e mungesës së plotë të kreditimit. Investimet private janë rritur duke u financuar nga kapitali, pra besimi i aktorëve në ekonomi ka ardhur duke u rritur”, tha ai.

Ahmetaj tha se “kemi 3 elementë bazë që kanë kontribuar në rritjen e ekonomike”.  “Konsumi final i popullatës për 13 tremujore rresht ka ardhur duke u rritur. Ne erdhëm nga gropa greke, e lamë pas vetëm për shkak të reformave që ishin lajtmotivi i 2018-ës”, tha ai.

Në aspektin buxhetor, Ahmetaj renditi uljen e deficitit buxhetor dhe rënien e borxhit publik. “Në datën 31 dhjetor të 2018 ka pasur 200 milionë euro në llogarinë e qeverisë për t’i përdorur gjatë periudhës 6, 7, 8-mujore. Ulja e borxhit është patriotike, ndërsa detyrimet e prapambetura duhet të hiqen njëherë e mirë si kulturë”, tha ai.

Ahmetaj theksoi se “të ardhurat shkuan për herë të parë duke u rritur, ndërkohë që kishim  rritje të prodhimit të brendshëm bruto”.

“Ekonomia matet me shifra dhe me rritje ekonomike. Për t’iu afruar BE-së ne duhet të kemi rritje ekonomike 7%, dhe jemi shumë larg pasi kjo nuk mund të bëhet duke bërë sherre atje e këtu. 7% rritje ekonomike do harmoni politikash dhe sociale. Nuk mund të bëhet nëse njëra palë lufton dhe tjetra vë shkopinj në rrota”, tha Ahmetaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.