Korporata e Investimeve/ Balluku: Ndikon drejtpërdrejtë në nxitjen e performancës ekonomike

TIRANË, 18 tetor /ATSH/- Korporata e Investimeve është investimi i mirëmenduar dhe mirësynuar që ndikon drejtpërdrejtë në nxitjen e performancës ekonomike, inkurajimin e inovacionit dhe përmirësimin e mirëqënies së përgjithshme në vend.
Kështu e cilësoi sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, në fjalën e mbajtur në Kuvend gjatë diskutimit të projektligjit për “Korporatën e Investimeve”.
“Qeveria Shqiptare po punon për të ndërtuar aftësitë e nevojshme për të identifikuar, përgatitur dhe ekzekutuar projekte investimesh me ndikim në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik të vendit. Këto investime në të shumtën e rasteve kërkojnë shfrytëzimin e aseteve ekzistuese të sektorit publik, si dhe mobilizimin e kapitalit privat.
Por, shumë nga këto projekte nuk mund të realizohen vetëm nga sektori privat pa përfshirje të konsiderueshme të qeverisë në procesin e autorizimit dhe vënies në dispozicion të të dhënave kyçe reale dhe rregullatore”- tha Balluku.
Sipas saj, projektet duhet të vlerësohen gjatë fazës përgatitore apo para-investimit, që shpesh konsiderohet e papërshtatshme ose e rrezikshme nga sektori privat.
Ndaj, Qeveria Shqiptare ka nevojë për një institucion që do të ketë aftësinë për të shndërruar idetë dhe iniciativat e zhvillimit në projekte fitimprurëse që mund të nxisin interesin e investitorëve privatë.
Për këtë qëllim, nënvizoi Balluku, u konceptua Korporata e Investimeve Shqiptare.
“Themelimi i korporatës është pjesë e strategjisë për të sjellë një rritje të qëndrueshme në Shqipëri, dhe vjen si produkt i një analize të thellë të kuadrit institucional shqiptar, mbështetur gjithashtu mbi konceptin e përdorimit të pasurive publike përmes mekanizmave sovranë të investimit”- tha ajo.
Ndërsa solli në vëmendje se, nevoja për themelimin e kësaj koorporate, informohet nga përvojat e korporatave në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, si Kanadaja apo Singapori, të cilat janë dëshmi se si dhe tregjet financiare më të maturuara dhe më të avancuara kanë nevojën për evolvim të vazhdueshëm të qasjes së tyre kundrejt zhvillimit dhe investimeve.
“Koorporata nuk ka kompetenca rregullatore apo normative, siç janë ato të për identifikimin dhe prioritarizimin e projekteve kombëtare, funksione këto të cilat do të vazhdojnë të ushtrohen nga ministritë e linjës. Detyra e parë e kësaj njësie të re do të jetë përgatitja e projekteve me një rëndësi apo ndikim të madh kombëtar. Hartimi, strukturimi dhe ekzekutimi i projekteve të zhvillimit janë detyra komplekse; të cilat  kërkojnë pjesëmarrjen e disa agjencive me njohuri lokale dhe globale për zhvillimin e infrastrukturës”- tha Balluku.
Qeveria Shqiptare ka nevojë për menaxhim aktiv të aseteve publike, nga ristrukturimi i ndërmarrjeve shtetërore, deri tek zhvillimi i pasurive të patundshme në turizëm, zona të veçanta ekonomike, etj. Në këtë konteks, korporata duhet të ketë aftësinë për të ndërmjetësuar fonde për investime strategjike dhe të sigurojë garanci, aty ku është e justifikueshme dhe e nevojshme.
Balluku theksoi se, Korporata e Investimeve Shqiptare i shërben një nevojë reale dhe akute në Shqipëri. Natyra e saj, funksionet thelbësore dhe fuqitë që janë të nevojshme për të realizuar me sukses misionin e saj, bazohen mbi politika që marrin parasysh përvojat ndërkombëtare por të vendosura në kontekstin vendor.
Ministrja theksoi se, korporata nuk ka për qëllim menaxhimin e të gjitha pasurive shtetërore, as të implementojë të gjitha projektet e investimeve në emër të qeverisë, qofshin ato qendrore apo lokale. Gjatë pesë viteve të para, korporata synon që të marrë përsipër 3 projekte të mëdha zhvillimore. Ajo do të themelohet si një kompani aksionare dhe sipas legjislacionit shqiptar, ministria përgjegjëse për ekonominë përfaqëson shtetin si aksioner në këtë korporatë.
“Me krijimin e Koorporatës së Investimeve Shqiptare, Shqipëria ndjek rrugën që vendet e tjera kanë ndërmarrë në rigjallërimin e pasurive publike. Korporata e Investimeve Shqiptare”, duhet ndërmarrë së bashku si një hap thelbësor drejt krijimit të kapaciteteve të shtetit shqiptar, për ta kthyer atë në një aktor dhe faktor të rëndësishëm në sferën e sipërmarrjes”, tha ministrja duke ftuar deputetët ta votojnë këtë projektligj. e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.