Vijon pasurimi i ujërave liqenore, Prespa shembull mirëmenaxhimi

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot Prespën ndër shembujt e mirëmenaxhimit falë Organizatës së Peshkatarëve dhe mbështetjes së institucioneve.

Ai tha se vijon pasurimi i ujërave liqenore me Liqenin e Prespës, ku po hidhen 300 mijë rasatë, të përgatitur në qendrën e posaçme pranë liqenit.

“Prespa është ndër shembujt e mirëmenaxhimit, falë Organizatës së Peshkatarëve dhe mbështetjes së institucioneve. S’ka pothuajse fare gjueti të paligjshme dhe për peshkatarët që shfrytëzojnë Prespën rritet vit pas viti, sasia e peshkut për treg. Shqipëria që duam”, tha ai.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon pasurimin e liqeneve të vendit me rasate peshku. Në liqenin e Prespës nisi sot procesi i hedhjes së rreth 300 mijë rasateve të krapit.

Në liqenin e Ohrit sivjet është hedhur sasia më e madhe ndonjëherë, mbi 1.5 milionë rasate korani, ndërsa në Fierzë rreth 160 mijë rasate krapi.

Ministria e Bujqësisë do të vijojë mbështetjen për peshkimin, si një prej sektorëve me rritjen më të madhe në vend.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.