TURQI – Erdogan përjashton çdo negociatë me forcat kurde në Siri

ANKARA, 16 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilit i është kërkuar nga vendet perëndimore të ndërpresë ofensivën në Siri, përjashtoi sot çdo negociatë me forcat kurde dhe kërkoi që ata të dorëzojnë armët dhe të tërhiqen nga kufiri turk.

“Disa drejtues po përpiqen të ndërmjetësojnë. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Republikës Turke që të ulemi në të njëjtën tryezë me një organizatë terroriste”, deklaroi Erdogan në një fjalim para grupit parlamentar të partisë në pushtet.

“Ne nuk kërkojmë ndërmjetësim dhe nuk kemi nevojë”, nënvizoi Erdogan.

Turqia nisi javën e kaluar një ofensivë në verilindje të Sirisë kundër milicisë kurde të Njësive për Mbrojtjen e Popullit (YPG), një grup i mbështetur nga vendet perëndimore, por i cilësuar si terrorist nga Ankaraja./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.