Studentët ekselentë të Ekonomikut, mundësi punësimi pranë Ministrisë së Financave

Tiranë, 16 Tetor/ATSH/- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një vizitë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në kuadër të bashkëpunimit të Paktit për Universitetin.

Bashkëpunimi sipas ministres Denaj, do të konsistojë në punësimin e studentëve të ekselencës pas përfundimit të studimeve të tyre, por edhe sa i përket kryerjes së praktikave të punës në MFE dhe institucionet e saj të varësisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me institucionet e saj të varësisë, ka një numër total prej 5800 punonjës dhe ka vendosur si target që minimalisht 10 % e këtij stafi të vijë nga studentët e ekselencës.

Denaj tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për punësimin e studentëve dhe stimul për arritjen e rezultateve shumë të mira gjatë studimeve të tyre.

“Ne kemi kontribuar jo vetëm në aspektin e mbështetjes për studentët e ekselencës, të cilët sot gjithnjë e më shumë janë duke u punësuar në Ministrinë e Financave dhe në sektorë të tjerë të administratës publike, por edhe me mbështetjen e studentëve që kryejnë praktikën. Këtë vit kishim 150, por kemi mundësi për më shumë, gati 1500. E rëndësishme është që këta studentë që sapo kanë ardhur, me mesatare mbi 9.2 në vitin e parë, të përfundojnë arsimin universitar mbi 9, sepse punësimi është i sigurt. Për një ministri si MFE, me 5800 punonjës, me 10 % target minimal punësimi nga ekslentët, krijon mundësinë e 580 punonjësve për të hyrë në tregun e punës të administratës publike”, u shpreh Denaj.

Komuniteti i biznesit ka dhënë kontributin e tij në kuadër të zbatimit të Paktit të Universitetit. Ministrja vlerësoi këtë kontribut, i cili për fakultetin ekonomik llogaritet gati 10.3 milionë lekë e që ka synuar ndërtimin e disa laboratorëve të informatikës.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule vlerësoi bashkëpunimin me ministrinë e Financave dhe Ekonomisë sa i përket punësimit të studentëve të ekselencës.

150 studentë të ekselencës janë punësuar deri më tani në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në kuadër të Paktit për Universitetin pritet të rritet ky numër, pas thirrjes së dytë që u hap në muajin shtator.

/a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.