Pakti për Universitetin/ Shahini: Masat në mbështetje të studentëve do vazhdojnë, nuk ka kthim pas

TIRANË, 16 tetor/ATSH/- Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), Besa Shahini ka zhvilluar ditën e djeshme një bashkëbisedim me studentët e universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Ajo i ka uruar një vit të mbarë akademik, me shpresën që edhe gjenerata e re e studentëve të jetë po aq aktive sikurse studentët e protestës së dhjetorit, në mënyrë që të shtyjnë përpara cilësinë e arsimit në vend.

Për studentët, Shahini u shpreh se “Pakti për Universitetin” erdhi si përgjigje ndaj gjithë energjisë që sollën studentët kur u bë protesta e vitit 2018.

“Shumë kërkesa specifike dhe të drejta si çështja e tarifave, cilësia e arsimit, kushtet në konvikte, bibliotekat, ne i morëm shumë seriozisht, pasi ishte kërkesë dhe çështje e ngritur nga studentët. Në nivel kombëtar, 90% e studentëve sot paguajnë shumë më pak se më parë, falë një fondi mbi 2 miliardë lekë. Tarifat i kemi përgjysmuar për të gjithë studentët që janë në Bachelor dhe në programe të integruara dhe një pjesë të Masterit. Kemi sjellë përjashtim nga tarifat dhe bursa për ata që janë më të mirët sepse duam t’i stimulojmë ata. Edhe për ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë nga shteti, studentë të kategorive të ndryshme”- nënvizoi ministrja Shahini.

Ajo ka përgënjeshtruar lajmet e rreme që kanë qarkulluar së fundmi ku thonë se do të ketë kthim mbrapa të kësaj politike.

“Kjo është një masë që është ndërmarrë për herë të parë në janar 2019 dhe do të vazhdojë, pra nuk ka kthim mbrapa”- tha ajo.

Ndër të tjera, ministrja Shahini tha se rehabilitimin e konvikteve në Vlorë dhe rrethe të tjera e kanë prioritet kryesorë në mënyrë që studentët të jetojnë në kushte shumë më të mira.

Edhe karta e studentit ishte një arritje e premtuar dhe e mbajtur. Kjo, sipas ministres Shahini, ishte një kërkesë e hershme dhe nga kjo kartë do të përfitohen shërbime dhe produkte të ndryshme me çmime më të ulëta, të cilat do të lehtësojnë barrën financiare të jetës studentore. Kujtojmë se ditën e djeshme, filloi edhe shpërndarja e kartës për studentët e Universitetit të Vlorës.

Për sa i përket bibliotekës digjitale, ministrja Shahini shprehu avantazhet që ka sjellë ajo si për studentët ashtu edhe për kërkuesit shkencorë e pedagogët.

“Gjithë librat që duam t’i lexojmë gjatë kohës që jemi studentë, mund t’i kemi në celular. Qasjen në bibliotekën digjitale e kemi blerë për të gjithë studentët, kërkuesit shkencorë dhe pedagogët, që për fushat e ndryshme që ju studioni, të keni qasje në artikuj shkencorë, libra akademikë etj.Nëse nuk e flisni mirë një gjuhë të huaj keni edhe qasje në module shumë të mira për mësimet e 30 gjuhëve të huaja”, u shpreh ajo, teksa kërkoi nga studentët të përdorin bibliotekën digjitale dhe të nisin opinionet rreth funksionimit dhe nevojave të mëtejshme./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.