Ndarja nga jeta e ish-kreut të FSHF, Meta: Legjendar në futbollin shqiptar

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-drejtuesit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ish futbollisti i Partizanit, Prof. Mico Papadhopulli.

“Ndarja nga jeta e “Dajës” legjendar të futbollit shqiptar Prof. Mico Papadhopulli është një lajm shumë i dhimbshëm edhe për mua si për të gjithë ata që e njohën dhe e donin për kontributet e jashtëzakonshme në zhvillimin e futbollit shqiptar edhe si kampion në fushën e blertë, por edhe si drejtues, frymëzues i sportit tonë përgjatë gjithë jetës së tij,” shprehet Presidenti Ilir Meta.

Kreu i shtetit ka ngushëlluar familjen e legjendës së futbollit të cilin sic shprehet e ka pasur fat ta njohë edhe nga afër.

“Në këto momente jam pranë Famijes Papadhopulli dhe gjithë dashamirësve të pafund të tij, pranë klubit Partizani për të cilin kontribuoi në suksese historike brenda e jashtë vendit, pranë Federatës së Futbollit dhe gjithë sportdashësve tanë. Isha me fat që e njoha nga afër këtë njeri, sa të madh aq dhe të dashur e të thjeshtë. U prehtë në paqe shpirti i tij i pastër dhe i madh!” deklaron Presidenti Meta. /a.sh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.