Lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, Voda: Bord Këshillimor sipas modelit amerikan

TIRANË, 16 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Ngritja sipas modelit amerikan e Bordit Këshillimor me ish-viktima të trafikimit është një risi sa i takon luftës ndaj trafikimit të qenieve njerëzore.

Në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj, komisioni për Sigurinë Kombëtare, zhvilloi një seancë dëgjimore me koordinatorin antitrafik,mbi rezultatet e deritanishme të antitrafikut.

Për të raportuar për trendin, format e trafikimit, metodat e shfrytëzimit  por dhe rezultatet e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, e ftuar ishte  Rovena Voda, zëvendës ministre në ministrinë e Brendshme.

Për sa i përket masave ligjore për vitin 2018-2019, Voda u shpreh se “ato janë një sfidë edhe për vetë zyrën e koordinatorit kombëtar, por edhe për institucionet e përfshira në këtë çështje, sepse gjendemi përpara ligjeve të reja të miratuara në kuadër të Reformës në Drejtësi, ligje të cilat kërkojnë një implementim shumë të mirë dhe patjetër edhe profesionistë me njohuri të plota për t’i zbatuar ato. Një risi është ngritja për herë të parë (sipas modelit amerikan) i një Bordi Këshillimor, i cili është një strukturë e posaçme, e përbërë në fakt, nga ish- viktima tafikimi,por tashmë të riintegruar, në mënyrë që të prodhojmë politika efektive dhe të japim atë impakt që duhet, pikërisht te kjo kategori vunerabël”.

Më tej komisioni vijoi me pyetje dhe diskutime nga anëtarët.

“Sot, në cilësin e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, për të informuar anëtarët e Komisionit mbi masat e marra nga qeveria shqiptare për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të personave. Duke u ndalur tek zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit, masat ligjore dhe mekanizmat anti trafikim, mbrojtja dhe asistenca për viktimat e trafikimit, ndërgjegjësimi i komunitetit, bashkëpunimi mes aktorëve shtetërorë, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar, format dhe metodat e trafikimit.”-, bëri të ditur Voda në përfundim të punimeve në Komisionin e Sigurisë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.