Kandidati për SPAK/ Prokurori Besim Hajdarmataj “kalon” Vetingun, konfirmohet në detyrë

TIRANË, 16 tetor /ATSH – I. Vata/- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar sot një seancë për shpalljen e vendimit për  subjektin e rivlerësimit, Besim Hajdarmataj, prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj doli përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me 14 tetor, i vetëm pa praninë e një avokati.

KPK, pasi ka vlerësuar provat dhe faktet për verifikimin e pasurisë dhe vlerësimin e kriterit etik e profesional për prokurorin pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë vendosi konfirmimin në detyrë.

Vendimi u shpall sot nga trupa gjykuese që përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia, Suela Zhegu.

Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.

Në maj të vitit 2018, kryeprokurorja Arta Marku e shkarkoi Hajdarmatajn si drejtues të Prokurorisë për Krimet e Rënda, duke e zëvendësuar me Donika Prelën. Disa muaj më vonë, Marku e transferoi Hajdarmatajn në Pogradec, por në fillim të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ktheu atë  pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë por këtë herë si prokuror.

Prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj i është shtuar listës së aplikimeve për të qenë anëtar i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) me 6 mars, duke qenë një kandidat për SPAK. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.