Informaliteti/ Në fushën e ndërtimit janë identifikuar 159 subjekte me risk

Tiranë, 16 Tetor/ATSH/ – Plani i veprimit kundër informalitetit vijon të japë rezultatet pozitive.

Sipas statistikave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në fushën e ndërtimit janë identifikuar 159 subjekte me risk, ndërsa janë kryer 114 vizita fiskale dhe 28 janë në proces.

Referuar të dhënave nga DPT, si rezultat i zbatimit të këtij plani tek këta tatimpagues, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje të qarkullimit me 5%, rritje e detyrimit për TVSH-në 36% dhe rritja e pagesës së TVSH me 49%.

Që nga fillimi i zbatimit në terren i këtij plani në muajin korrik e deri tani janë inspektuar në terren rreth 7 mijë subjekte.

Nga të dhënat rreth 30% e subjekteve të inspektuara kanë rezultuar me shkelje të natyrave të ndryshme, si për : mos lëshim kuponi tatimor, punonjës të paregjistruar, kasa fiskale jashtë funksionit, apo edhe për mos regjistrim në organet përkatëse.

Ministria e Financave thotë se plani operacional nuk ka për qëllim ndëshkimin, por ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Zbatimi i tij do të vazhdojë me të njëjtat ritme, në sektorë të ndryshëm sipas riskut që vlerësohet nga Administrata Tatimore, me qëllim reduktimin e shkeljeve.

/a.gjonaj/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.