Rikthehen në klasat e gjuhës shqipe nxënësit e komunitetit shqiptar në Angli

TIRANË, 15 Tetor /ATSH/ – Rikthehen në klasat e gjuhës shqipe nxënësit e komunitetit shqiptar në Angli.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko thekson se, “shkolla shqipe “Ardhmëria” ka rinisur mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Kilburn, Londër”.

“Këtë vit nxënësit do të zhvillojnë orët e tyre mësimore me librat e gjuhës shqipe të cilat janë dërguar falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën”, shton ai.

Shkolla shqipe “Ardhmëria”, e cila zhvillon mësimin çdo të shtunë nga ora 11.00 deri në orën 14.00, në ambientet e shkollës angleze St.Augustin Kilburn, nisi vitin e ri shkollor për mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Në ditën e parë, pasi drejtor Lutfi Vata bëri përshëndetjen e rastit dhe një prezantim të shkurtër rreth projekteve që ka kjo shoqatë, mësimi nisi rregullisht.

Prindërit u njohën me çdo gjë që është e lidhur në rregulloren e shkollës dhe me një përmbledhje programi. Shkolla ju ofrua familjeve falas!

Ata u njohën, gjithashtu të gjithë, me çdo aktivitet të zhvilluar ,brënda dhe jashtë shkolle, në vitin e kaluar.

Në klasën e abetares fëmijët u njohën me njëri – tjetrin duke u shprehur në gjuhën shqipe. Më pas u njohën me librin e abetares, të cilin e shfletuan me kujdes dhe zgjodhën faqen e preferuar, në mënyrën vizive. Çdo njëri prej tyre motivoi përzgjedhjen e preferuar me një përshkrim në shqip. Kjo ndihmoi në përcaktimin e nivelit të klasës dhe krijoi një panoramë më konkrete për punën e diferencuar e cila do të bëhet nga mësuesia në të ardhmen. Pas kësaj njohje u përgatit nga të gjithë nxënësit e klasës së abetares një vizatim didaktiv mbi ditën e parë të shkollës.

Në klasën e të rriturve u testuan nxënësit me skeda përkatëse, niveli i nxënësve të ardhur nga klasa e abetares dhe niveli i klasës në vazhdim. Njohja e librave të ardhura nga Ministria e Diasporës dhe u zhvilluan momente krijImtarie me fjalë të ndryshme të cilat vet fëmijët i lidhën në fjali.

/gj.mima/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.