Hahn: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut zbatuan reforma të dhimbshme, çdo vonesë dëmton rolin tonë në Ballkan

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johanes Hahn shprehu sot keqardhjen që shtetet anëtare nuk mundën të marrin një vendim për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Ky nuk është një moment lavdie për Europën – është hera e tretë në 16 muaj që po diskutojmë për këtë çështje të rëndësishme”, tha Hahn.

Sipas tij, “e rëndësishme për të theksuar është se shumica e shteteve anëtare kanë mbështetur rekomandimin e Komisionit Europian”.

“Të sigurt se liderët e BE-së do ta marrin këtë vendim në Këshillin Europian pasi çdo vonesë e mëtejshme do të dëmtojë rolin tonë në Ballkanin Perëndimor dhe besueshmërinë e ambicies sonë për t’u bërë një lojtar global më i fortë”, tha ai.

Ne, tha Hahn, “duhet të rivendosim besueshmërinë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe të zbatojmë angazhimet tona”.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë dhe kanë zbatuar reforma të dhimbshme. Aderimi në BE është një proces i bazuar në meritë dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të pranojmë përparim konkret”, tha ai./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.