BAKU – Erdogan dhe Macron diskutojnë situatën në Siri

BAKU, 15 tetor /ATSH-AFP/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron, ku i ka theksuar kontributin e operacionit ”Burimi i paqes” për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.

Erdogan po ashtu ka dhënë shpjegime lidhur me qëllimin e operacionit turk “Burimi i paqes” duke deklaruar se terrorizmi dhe organizatat terroriste PKK-YPG dhe ISIS në veri të Sirisë paraqesin kërcënim për sigurinë e Turqisë dhe për integritetin territorial të Sirisë.

Më 9 tetor, Turqia filloi operacionin “Burimi i paqes” në lindje të lumit Eufrat, në veri të Sirisë, për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe duke garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë në shtëpitë e tyre si edhe integritetin territorial të Sirisë.

Turqia me këtë operacion synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane PYD/YPG./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.