Opinioni i Venecias/Spiropali: Meta tejkaloi kompetencat, shpiku institucion të ri

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi mbrëmjen e sotme se “Komisioni i Venecias thotë atë që ne kemi thënë që në krye të herës, zgjedhjet e 30 qershorit duhet patjetër të mbaheshin për të ruajtur seriozitetin e shtetit dhe në fakt themelet e shtetit dhe për të mos i dhënë mundësi asnjë opozite në të ardhmen për të hedhur në erë sistemin, duke djegur mandatet dhe duke mos marrë pjesë ne zgjedhje. Kjo është edhe pjesa më e rëndësishme e raportit”.

Gjatë një interviste televizive, Spiropali deklaroi se Komisioni i Venecias është një trupë profesioniste e distancuar dhe nuk ka lidhje me emocionet e shigjetat tona politike.

“Komisioni i Venecias është një trupë profesioniste e distancuar dhe nuk ka lidhje me emocionet e shigjetat tona politike, ama ka dalë me disa konkluzione, e zeza në të bardhë që janë shumë konkrete në raport me të gjithë veprimtarinë e presidentit të Republikës, mbi atë që quhet në thonjëza “çdekretimi” i zgjedhjeve. Vetë termi çdekretim i zgjedhjeve shihet me habi duke vënë në dyshim të gjithë seriozitetin e këtij procesi. Komisioni i Venecias në raport shkon deri aty duke thënë se është rast tepër i rrallë për të mos thënë që nuk gjendet dhe është tepër e vështirë për të nxjerrë kazuse dhe modele nga vendet e tjera. Praktikisht thotë që, Presidenti i Republikës ka shpikur një institucion të ri, jo vetëm ka tejkaluar kompetencat e tij por ka shkuar larg duke mos patur asnjë kompetencë të tillë, Presidenti i Republikës ka vendosur të çdekretojë zgjedhjet dhe ata merren edhe në detaje me konceptin e çdekretimit, kur ndodh, kur ka të drejtë sipas tyre, jo presidenti por një ligj i veçantë, komisioni apo parlamenti në raste emergjente me një ligj të posaçëm të shtyjë zgjedhjet dhe në asnjë raste kjo e drejtë nuk i njihet Presidentit të Republikës”, theksoi ajo.

Raporti i Komisionit të Venecias shkon më tej, për të bërë analizën e kontekstit ku ka vepruar presidenti i Republikës, flet për zgjedhjet e 30 qershorit e thotë: edhe nëse parti politike që kanë peshë të caktuar elektorale, qoftë edhe të madhe, vendosin të mos marrin pjesë në zgjedhje, kjo nuk është arsye për të mos i zhvilluar zgjedhjet sepse atëherë kjo vegël do t’i jepej në dorë çdo opozite për të penguar zgjedhjet. Pra, praktikisht Komisioni i Venecias thotë atë që ne kemi thënë që në krye të herës, zgjedhjet e 30 qershorit duhet patjetër të mbaheshin për të ruajtur seriozitetin e shtetit dhe në fakt themelet e shtetit dhe për të mos i dhënë mundësi asnjë opozite në të ardhmen për të hedhur në erë sistemin, duke djegur mandatet dhe duke mos marrë pjesë ne zgjedhje. Kjo është edhe pjesa më e rëndësishme e raportit” , deklaron ministrja.

Më tej, Spiropali thotë se raporti flet po ashtu se “qytetarëve shqiptarë u është mohuar e drejta e zgjedhjes, periodiciteti i zgjedhjeve, të gjitha këto ne i kemi argumentuar në kuvendin e Shqipërisë, në rezolutë apo si firmëtarë në ngritjen e komisionit hetimor. Komisioni i Venecias thotë në fund se i gjithë procesi i hetimit të presidentit është sa ligjor aq edhe politik dhe ato nuk janë një trupë politike dhe i takon kuvendit të Shqipërisë, komisionit të posaçëm të ngritur për presidentit të republikës e më vonë Gjykatës Kushtetuese”.

“Tani komisioni do të peshojë argumentet dhe ta sjellë në Kuvend, ne do të votojmë vendimet e komisionit hetimor. Ne do ta gjykojmë, vlerësojmë dhe gjykojmë. Komisioni hetimor do të dalë me disa konkluzione dhe do ta sjellë në Kuvend dhe ne do ta votojmë”, tha Spiropali.

Lidhur me vendimin për hapjen e negociatave, Spiropali u shpreh se “jemi shpresëplotë që pas vendimit të Parlamentit Gjerman, të Bungestagut votoi në shumicë të madhe pro hapjes së negociatave dhe ju kujtoj që është i vetmi parlament që gjykon të gjitha faktet, voton për procesin e çeljes së negociatave, i është çelur drita jeshile qeverisë gjermane, kancelaren Merkel për të dhënë po mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe besojmë se pesha e Gjermanisë do të ndikojë në disa vende që për arsye të tyre dhe aspak për arsye të tona apo objektive, dyshojnë jo vetëm për çeljen e negociatave me Shqipërinë por në tërësi për procesin e zgjerimit apo zhvillimet brenda BE-së”. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.