Këshilli Kombëtar i Integrimit/ Balla: Institucionet e reja të Drejtësisë përmbyllen në fund të vitit

TIRANË, 14 tetor /ATSH – I. Vata/- Institucionet e reja të Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë do jenë gati në fund të vitit 2019”, deklaroi sot kryetari i grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në Këshillin Kombëtar të Integrimit.

“Beteja kundër krimit të organizuar është sot një prej themeleve të rrugës tonë eurpiane. Sundimi i ligjit, goditja e krimit të organizuar janë dy tematika kryesore që Shqipëria duhet të raportojë në kuadër të integrimit me fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe që përkojnë me kapitujt 23, 24  të cilët janë dy kapituj që hapen të parët dhe mbyllen të fundit në 35 kapitujt e marrëveshjes për anëtarësim në Bashkimin Europian”, tha ai

Në vijim Balla tha se nuk është rastësi që kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të Integrimit vjen në këtë moment të rëndësishëm, teksa  nesër Këshilli Europian për Çështjet e Përgjithshme do të draftojë pozicionin e Këshillit, lidhur me fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Përsa i përket hapjes së negociatave Balla theksoi “jam optimist dhe shpresëplotë që Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut do të fillojnë një etapë të re, në këtë rrugë në këtë kuptim historik të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.

Balla tha se kuvendi dhe qeveria po bëjnë gati draftin kundër grupit “Kap Çfarë të Kapësh”.

“Këshilli i Integrimit zhvillon këtë takim në një moment ku Kuvendi po bën gati edhe në bashkëpunim me qeverinë goditjen e një grupi kriminal do ta quaja, sikurse është grupi “Kap Çfarë të Kapësh”,  ashtu siç është grupi i prokurorëve të cilët e dinë mirë që nuk e kalojnë vetingun dhe po shfrytëzojnë pozicionet e tyre në gjykatë  dhe prokurori për të dëmtuar besimin e shqiptarëve te drejtësia dhe për të dëmtuar drejtësinë”, tha ai.

Një tjetër pikë e rëndësishme, tha Balla, është rastësi që ky këshill mblidhet në një moment kur veprat penale rriten për dhunën ndaj grave e që Kuvendi duhet të ndërmarrë veprimet e ndryshimeve të akteve ligjore që mbrojnë gratë nga dhuna, por që rrisin procesin e monitorimit të proceseve penale, ku jo pak raste siç është rasti i Gjirokastrës ku gjyqtari në vend që të marrë masën e ndaluesit të dhunuesit, merr masa ndalimi ndaj nënës së dhunuar.

Balla vlerëson hapat e ndërmarra kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Shqipëria ka bëra hapa të rëndësishëm në goditjen e krimit të organizuar, në goditjen e korrupsioni dhe ky takim sot i Këshillit Kombëtar duhet të shërbej për një raportim të detajuar të ministrit të brendshëm dhe prokurorit, por ju kërkoj institucioneve se është prioritare angazhimi i tyre në procesin e “Screen”, që ka të bëjë me adresimin e rekomandimeve të Komisionit Europian në raportin e fundit për Shqipërinë për sa i përket dy tematikave që kemi në fokus”, tha Balla.

“Dua t’ju informoj që në Kuvend nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kanë ardhur dhe kandidaturat për vende që i takojnë Kuvendit lidhur me anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Dua të ndaj me ju vlerësimin se fundviti 2019 e gjen Shqipërinë me Gjykatë Kushtetuese funksionale, sikurse dhe procesi i vakancave me Gjykatën e Lartë dhe shpresoj se Këshilli i Lartë Gjyqësori do përmbylli procedura për anëtarë të lartë në kohë. E kjo bën atë që quhen kushte nga Bundestagu dhe Shqipëri përmbyll dy kushtet që lidhen me dy gjykatat”, thekson ai.

“Për sa i përket OSBE/ODHIR ne duhet të lëmë në një anë tekat dhe duhet të bashkohemi për t’i dhënë Shqipërisë brenda vitit një Kod Zgjedhor”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.