Hajdari: Dokumenti i BE-së, theksi te përmirësimi i punës së agjencive ligjzbatuese

TIRANË, 14 tetor /ATSH – I. Vata/- “Mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian është e rëndësishme pasi jemi para një vendimmarrje të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë”, tha sot në mbledhjen e Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian, në cilësinë e kryetares së komisionit, Rudina Hajdari, ndërsa vendosi theksin te sundimi i ligjit.

“Në dokumentet e Bashkimit Europian, në mënyrë të përmbledhur, theksi vihet mbi: Përmirësimin punës së agjencive ligjzbatuese për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe konfiskimin e pronave të krimit e organizuar dhe arritjen e rezultateve efektive në luftën kundër krimit të organizuar; Ngritjen e një historiku solid të hetimeve financiare, ndjekjeve dhe dënimeve përfundimtare kundër grupeve të organizuara kriminale; intensifikimin e hetimeve dhe ndjekjeve të pjesëtarëve të nivelit të lartë të grupeve të organizuara kriminale”, tha Hajdari.

Hajdari kërkoi “fillimin e hetimeve në mënyrë proaktive për rrjetet e mëdha kriminale; Adresimin e burimeve të pamjaftueshme, ndikimin e padrejtë dhe presionit mbi policinë dhe shërbimeve hetimore, qarkullimin e shpeshtë dhe të pajustifikuar të personelit të Policisë së Shtetit, pagat e ulëta dhe pajisjet e kufizuara të vëna në dispozicion për policinë gjyqësore etj”.

Takimi kishte si tematikë kryesore: “Sundimin e ligjit dhe ecurinë në luftën kundër krimit të organizuar” si dhe progresin e realizuar në këtë fushë për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian në raportin e vitit 2019 për Shqipërinë si dhe nënkomitetit BE-Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe Siguri, ku të ftuar ishin Sandër Lleshaj, Ministër i Brendshëm dhe Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme. /j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.