Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec mbyllet me dy çmime të veçanta

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ – Për të nëntin vit radhazi, nga data 7 deri më 12 Tetor, në Pogradec u organizua Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë.

Gjatë këtyre ditëve u shfaqën rreth 90 dokumentarë dhe filma me metrazh të shkurtër e të gjatë, të realizuar nga regjisorë shqiptarë dhe të huaj.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi e përshëndeti këtë festival ku u ndanë dhe dy çmime të veçanta.

“Festivali ishte dhe një homazh për dy miq të paharruar, Fatos Baxhakun dhe Gjergj Xhuvanin. Në nderim të veprave të tyre u dhanë dy çmime: çmimi “Fatos Baxhaku” për dokumentarin më të mirë dhe “Gjergj Xhuvani” për filmin më të mirë studentor”, -shprehet Shalsi.

Çmimin “Fatos Baxhaku” për dokumentarin më të mirë e mori Elton Baxhaku me dokumentarin e titulluar “Free Flow”, ndërsa çmimin “Gjergj Xhuvani” për filmin më të mirë studentor e mori Georgiana Moldoveanu nga Romania me filmin e titulluar “Equally Red and Blue”.

Festivali, ashtu siç thuhet dhe në emrin me të cilin është pagëzuar, bën bashkë filmin dhe kulinarinë prandaj në këtë festival interesante ishte dhe kulinaria ballkanike. “Të gjitha vendet pjesëmarrëse u përfaqësuan përmes specialitetit të tyre në artin e kuzhinës”, – nënvizoi ministri Shalsi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.