Qendra historike e Vlorës/ Rama: Nga një rrënojë e zhytur me dekada, në zonë rrezatuese zhvillimi turistik dhe ekonomik

TIRANË, 13 tetor /ATSH/- Qendra historike e qytetit bregdetar të Vlorës, një diamant deri dje i mbuluar nga pluhuri i harresës, sot ka marrë shkëlqimin multidimensional të një pike referimi historiko-kulturor dhe me impak në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit bregdetar.

I pranishëm të dielën në përurimin e përfundimit të investimit të Qendrës historike të Vlorës, kryeministri i vendit Edi Rama vlerësoi punën e të gjithë aktorëve për ndërhyrjet në restaurimin e zonës historike dhe u shpreh i impresionuar nga transformimi bashkëkohor i këtij investimi.

“Edhe për mua që e kam parë me sytë e mendjes këtë zonë, shumë kohë më parë dhe kam qenë nxitës i këtij bashkëpunimi shembullor me Fondacionin Amerikan, them se qendra historike e Vlorës, ka ardhur në dritë përtej parashikimit” – tha Rama.

Ai theksoi se “është një hapësirë tërësisht e re, jo thjeshtë e pastër dhe e bukur, por edhe mundësi e zhvillimit ekonomik dhe për këtë i jam mirënjohës atyre që kanë kontribuar për këtë transformim shembullor”.

Rama u shpreh i bindur se, projekte të tjera do të vijojnë për transformimin e Vlorës, të këtij qyteti, siç tha ai, “që të gjitha së bashku do të hyjnë në historinë e këtij qyteti si projektet e një kthese historike, si projektet e një transformimi epokal dhe të kalimit nga një periudhë e errët ku në radhë të parë ka munguar shpresa dhe pastaj ambicia dhe ku problemi më i madhe ka qenë varfëria e aspiratave, në një periudhë të re ku pikërisht varfëria e aspiratave është një shënjestër si kundërshtari im kryesor dhe aspiratat më të mëdha janë absolutisht legjitime dhe të mundshme”.

Kryeministri solli në vëmendje se, “kur u nis projekti për Pazarin e vjetër të Korçës, e kemi pasur shumë të qartë se çfarë do të bëjmë, por përsëri ashtu sikurse këtu, tha ai, nuk e kemi rrokur dot me forcën e parapërfytyrimit atë që ka ndodhur shumë më shpejt seç e kemi parashikuar”.

“Sot pazari i ri i Korçës që ishte me rrangulla e rroba të vjetra është kthyer në një motor të zhvillim ekonomik të qytetit. E njëjta gjë mund të huhet për të gjitha projektet që kemi bërë bashkarisht por në veçanti për projektet e Rilindje Urbane”, u shpreh Rama.

Duke u rikthyer në vlerat historike të zonës së Vlorës, kryeministri tha se, ” e kemi parë  ketë zonë në vegjëlinë tonë si një zonë fotosh historike. Kemi parë përmes fotografive sesi në këtë zonë është bërë edhe qëndisja e flamurit që e ngriti Ismail Qemali 28 nëntor të 1912 dhe kemi mësuar se kjo zonë nuk është thjesht një zonë me objekte të rëndësishme arkitektonike, përsa i përket trashëgimisë tonë kulturore historike, por është një zonë e mbushur me histori, ku ndërthuren religjone dhe ku ka pasur edhe shtëpinë vete qeveria e Shqipërisë Sot zona rikthehet me një status tjetër dhe fuqi krejt të re për të tërhequr turistë e vizitorë të shumtë, si një zonë ku mund të mësohet duke u prekur historia e jashtëzakonshme e këtij qyteti”.

“Nga ana tjetër kemi parë të mrekulluar sesi skuta të errëta të kësaj zone të pa vizitueshme, po transformohen në hapësira të brendshme që i lënë vend organizimit të shumë aktiviteteve ekonomike dhe çfarë fluksi i madhe jete do t’i vijë zonës kur ndërhyrja të ketë përfunduar dhe transformimet e brendshme të godinave të kenë një ritëm të ri jete dhe aktivitete ekonomike”- tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.