Projektet transformuese në Vlorë/ Nga bulevardi, porti e deri në zgjatimin e Lungomares në Orikum

TIRANË, 13 tetor /ATSH/- Nga Bulevardi kryesor, sheshi Flamurit, Porti i Vlorës e deri në zgjatimin e Lungomares 2 në Orikum, janë disa nga projektet ku qeveria po investon për transformimin bashkëkohorë dhe me standarde moderne, të infrastrukturës në qytetin e Vlorës.

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot nga Vlora se, paralelisht me një sërë investimesh të tjerë, është duke përfunduar projekti i ri i zonës së mbetur të Bulevardit kryesor të qytetit të Vlorës dhe të sheshit të Flamurit.

“Duhet bërë një ndërhyrje radikale për të krijuar një hapësirë, po kaq cilësore siç është krijuar tashmë hapësira e Lungomares, e bulevardit, që së bashku me zonën historike të Vlorës mbyll kornizën e hapësirës së trashëgimisë historike e kulturore të zonës. Ndërsa po fillojmë punën për zgjatimin e Lungomares 2, fillimisht me zgjatimin deri tek tuneli dhe pastaj me vazhdimin e segmentit tjetër deri në Orikum”- tha Rama.

Njëkohësisht shpjegoi kryeministri, në muajin në vijim, do të fillojë projekti i rindërtimit të plotë të shëtitores përballë portit të Vlorës, ku do të ndërtojmë një park të madh.

Njëkohësisht, tha Rama, në muajt në vijim do të fillojë projekti i rindërtimit të plotë të shëtitores përballë portit, aty ku faktikisht bëhet ndarja midis rrugës automobilistike që shkon drejt Lungomares dhe pjesës tjetër që përdor atë segment si shëtitore, ku do të ndërtojmë një park të madh qendror për Vlorën.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se “po punojmë për ndërhyrjen e integruar të Kaninës, në përpjekjen për ta rivitalizuar Kaninën si një pikë referimi për turistët, por edhe për ta bërë më të qëndrueshme dhe më organike lidhjen mes qytetit dhe Kaninës”.

Duke u ndalur te porti i Vlorës, Rama u shpreh se “do të bëjmë shumë përpjekje për të transformuar Portin e Vlorës, i cili është në një gjendje të ndërmjetme, midis rrënojës që ishte dhe asaj që duhet të jetë, duke e transformuar në një port mirëfilli turistik dhe për pasagjerët, duke rregulluar gjithë aktivitetin tregtar që bëhet për mallra aty dhe duke synuar që të bëjmë një lidhje shumë organike midis asaj porte hyrëse nga deti me portën tjetër hyrëse nga ajri dhe pastaj me portat më të vogla nga toka, në mënyrë që Vlora të marrë të gjithë fuqinë për t’u bërë  një qendër graviteti rrezatuese për ekonominë, për punësimin, për zhvillimin tërësor të gjithë këtij rajoni të madh që është Jugu  i Shqipërisë.

Rama nënvizoi faktin që paralelisht me këto investime po rritet ambicia dhe po rriten investimet private për të përmirësuar hapësira ekzistuese, apo për të ndërtuar struktura të reja. “E nëse deri përpara disa vitesh nuk mund të imagjinonim investime për 5 yje në zonën e Vlorës, për shkak se asgjë nuk të çonte në përfundimin se duhet të bëjmë investime që kanë nevojë për klientë që shpenzojnë shumë para, sot jemi në kushtet kur këto investime janë kryer dhe po vazhdojnë të kryhen dhe shumë të tjera më tutje do të vijojnë”, u shpreh Rama.

 e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.