Kodi i ri Penal/ Gjykata lë në burg tre qytetarët që bllokuan rrugën, reagon Basha

TIRANË, 13 tetor/ATSH/  Tre banorët e zonës së ku do ndërtohet Unaza e Re, të arrestuar tre ditë më parë nga policia, do të vijojnë të qëndrojnë në qeli, pasi Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masën e sigurisë “Arrest me Burg’ ndaj tyre.

Ilir Katiraj, Gramoz Shehu dhe Skënder Doda akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.  Këta shtetas në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re, kanë organizuar e zhvilluar një tubim të paligjshëm dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor në të dyja drejtimet e rrugës “Tedor Keko”.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës së Tiranës. Sipas tij “me urdhër të Edi Ramës, gjyqtari Arben Micko dhe prokurori Bledar Maksuti mbajtën sot në arrest Skender Dodën, Gramoz Shehun dhe Ilias Katiraj. Tre baballarë mbahen në burg sepse mbrojnë shtëpitë e fëmijëve”.

Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimit rrugor duke cenuar të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të mjeteve të transportit, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.