VIDEO/Rritet numri i vendeve të punës, Ibrahimaj për ATSH: Mbi 702 mijë deri në fund të shtatorit 2019

TIRANË, 12 tetor /ATSH/-Në Shqipëri po vjen gjithmonë e në rritje numri i vendeve të reja të punës dhe numri i të punësuarve. Rritja e numrit të bizneseve aktive në shkallë vendi, ka pasqyruar edhe një zgjerim të dukshëm edhe të nivelit të punësimit.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) tha se, u rrit në 702, 028 numri total i vendeve të punës në Shqipëri në fund të muajit shtator 2019.

Sipas saj, nëse i referohemi vendeve të punës sipas gjendjes në sistemin tatimor në 30 shtator 2019 kemi një total prej 702,028 vende pune, krahasuar me 695,664 vende pune që shënoheshin në shtator 2018, pra 6,364 vende pune më shumë.

Gjithashtu shpjegon Ibrahimaj, jo vetëm numri i vendeve të punës, por edhe numri i të punësuarve ka ardhur në rritje, pasi një i punësuar mund të jetë i dy punësuar apo më shumë dhe kjo ka rritur ndjeshëm numrin e të punësuarve.

“Deri më 30 shtator 2019, shënohen në total 660,707 të punësuar, ose 4645 të punësuar më shumë se një vit më parë, ku numërohen 656,062 të punësuar”- tha Ibrahimaj për ATSH-në.

Drejtoresha e Tatimeve theksoj se, dinamika e këtyre tregueseve tregon se në rajonet ku ka më shumë biznese, ka edhe më shumë vende të reja pune e më shumë të punësuar.  “Këto tregues ecin në linjë paralele me njëra tjetrën dhe mbesin në ndryshim dinamik, pasi afati i fundit për deklarimin e listëpagesës është 20 tetori, çka do të përditësojë trendin pozitiv të qëndrueshëm të tyre”- tha Ibrahimaj në intervistën për ATSH. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.