VIDEO/ Poliklinika e Lushnjës, nga një rrënojë në qendër moderne kujdesi shëndetësor

TIRANË, 12 tetor/ATSH/- Poliklinika e Lushnjës është një tjetër qendër shëndetësore e shndërruar, në kuadër të programit kombëtar të  rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në mbarë vendin.

E lënë pas dore prej pothuajse dy dekadash, pa asnjë investim dhe drejt amortizimit të plotë, ndërtesa 3-katëshe në qendër të qytetit të Lushnjës, ku ushtron aktivitetin shëndetësor poliklinika e specialiteteve, qendra shëndetësore nr. 1 dhe konsultorja e gruas dhe fëmijës e qendrës shëndetësore nr. 2, është rehabilituar tërësisht dhe është pajisur me aparatura mjekësore të reja. 

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot poliklinikën e re ku janë investuar rreth 750 mijë euro, fryt i partneritetit të qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane, nëpërmjet projektit Shëndet për të Gjithë (HAP).

 “E gjithë struktura është zhvilluar sipas një sistemi shumë komod për qytetarët dhe familjarët. Ndërkohë që bëhet monitorimi me sistemin e kamerave për të parë se sa fluks ka poliklinika dhe qendrat shëndetësore sepse janë të organizuara të gjitha në një godinë. Poliklinika ka 17 kabinete ku ofrohen shërbime të ndryshme specialistike, ndërkohë që dy qendrat e tjera shëndetësore ofrojnë shërbim për rreth 25 mijë banorë. Të gjitha kabinetet kanë një sistem të monitorimit,” – u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

Ndërkohë për stafin mjekësor që shërben aty, i cili përbëhet nga mjekë të vjetër dhe specialistë të rinj, investimi në poliklinikë ishte një domosdoshmëri. “Është  një investim i cili duhej bërë për qytetin. Është  një investim që i takon qytetarëve. Janë ata që do e gëzojnë dhe që do të marrin një shërbim akoma më të mirë nga ana jonë. Kemi për detyrë ta ruajmë, ta mirëmbajmë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë,” -shprehet një prej mjekëve.

Për mjekët që punojnë prej vitesh në këtë poliklinikë , ndryshimi është edhe më i dukshëm. “Kemi 17 vjet që punojmë, – u shpreh një prej tyre – dhe është një ndryshim rrënjësor, siç ishte dhe siç është tani. Si dita me natën.”

Funksionimi me të gjitha kapacitetet i poliklinikës ka bërë që të ulet ndjeshëm fluksi i pacientëve në spitalin e qytetit, pasi ata mund të marrin shërbimin ambulator me kushtet optimale në poliklinikë. “Fluksi i pacientëve tani sa ka filluar. Kemi ndarë punën e ambulatorit dhe spitalit dhe nga 15 kemi kaluar në 20 eko. Edhe radha e pritjes ulet dhe ne bëjmë më shumë ekzaminime,” – u shpreh mjekja specialiste e imazherisë.

Check-up, ose kontrolli mjekësor bazë falas është një shërbim që qytetarët e Lushnjës e kanë mirëpritur dhe e realizojnë në këtë poliklinikë. “Lushnja është një ndër qytetet që është shumë mirë me realizimin e kontrollit mjekësor bazë. Sigurisht është një punë e madhe që bëjnë mjekët e familjes për të bërë të gjithë informimin e qytetarëve për ta bërë check up 1 herë në vit, nga 35-70 vjeç, por në të vërtetë kemi rezultate impresionuese nga kontrolli mjekësor bazë, përsa i përket kapjes në kohë së sëmundjeve, sidomos prediabetikët,” – tha ministrja Manastirliu.

Ndërsa Kryeministri theksoi se falë punës së madhe që u bë në këtë drejtim, mentaliteti ka ndryshuar shumë dhe kostot e familjeve për shëndetin janë ulur. “Ishte një fazë e vështirë, sepse u bë shumë luftë kundër. Plus që edhe tradita nuk është sepse ne jemi një popull që e lajmë makinën çdo ditë dhe për trupin kujtohemi kur fillon edhe bën kolpo. Faktikisht tani ka ndryshuar shumë mentaliteti dhe gjithashtu ulen shumë kostot. Ulen kostot e familjeve, ulen kostot e spitaleve, ulen kostot e shëndetit.”  /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.