Meta-Musmanno: Linje direkte ajrore Tiranë-Lamecia

TIRANË, 12 tetor /ATSH – I. Vata/- “Lëvizjen e udhëtarëve nga Kalabria në Shqipëri, nëpërmjet vendosjes së një linje direkte ajrore Tiranë-Lamecia”, ishte fokusi i takimit të Presidenti Ilir Meta me Komisionerin e Insfrastrukturës së Qeverisë Rajonale të Kalabrisë, Roberto Musmanno.

Presidenti Meta u shpreh se “raportet e ngushta, tepër të forta dhe njerëzore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve me Kalabrinë, zemrën e bashkësisë sonë të dashur arbëreshe, janë shumë të rëndësishme. Kjo marrëdhënie historike dhe tradicionale, ka potenciale të jashtëzakonshme arsimore, kulturore, turistike, ekonomike dhe tregtare, për t’u forcuar edhe më tej”.

“Shumë i lumtur të zhvilloja një takim të frytshëm me Komisionerin e Infrastrukturës së Qeverisë Rajonale të Kalabrisë,  Roberto Musmanno, me të cilin ndava ide të vyera për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në mënyrë që të rinjtë të mos largohen nga vendet dhe zonat tona”, shprehet ai.

Po ashtu Meta thekson se “veçanërisht diskutuam rreth projektit ambicioz dhe të realizueshëm të Prof. Musmanno dhe stafit të tij, për lëvizjen e udhëtarëve nga Kalabria në Shqipëri, nëpërmjet vendosjes së një linje direkte ajrore Tiranë-Lamecia. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për të cilin do të punojmë fort”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.