Ligji i pronave, Lame: Rishikim i dy neneve ku kërkuam mendimin e Venecias

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ – Drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, ka deklaruar se ligji i pronave, për të cilin gjithashtu dha opinion edhe Komisioni i Venecias, nuk do të ndryshojë, por do të rishikohen vetëm 2 nenet për të cilat shprehet raporti në fjalë, si dhe disa pika të tjera për të cilat është menduar të ndërhyhet.

“Nuk do ndryshojë ligji. Do shikohen këto nene. Veç dy neneve, do të preken edhe dy tre pika të tjera nga ligji i pronave, që nuk kanë të bëjnë fare me Venecian, pikërisht sepse duam të përfitojmë nga rasti që t’i jepet dora e fundit ligjit,” shprehet Lame, duke shtuar se së shpejti ligji do të rikalojë në komisionet parlamentare për t’u plotësuar.

“Që në mars, kur ka hyrë në fuqi ligji për Kadastrën, tregoi se sa gjëra rregulloi shkrirja e institucioneve,” shtoi Lame gjatë një interviste televizive.

Nga ana tjetër Drejtori i Agjencisë së Kadastrës tha se ishte vetë mazhoranca që bëri opozitën e vetes, madje e dërgoi ligjin në Venecia, pasi opozita refuzon të bëhet pjesë e ligjeve të rëndësishme.

“Për fat të keq edhe ne kemi diskutuar dhe debatuar me veten, sepse opozita refuzoi të marrë pjesë. Ne po vazhdojmë të matemi me veten. Diskutuam midis nesh për ligjin. E bëmë. Për pika të veçanta të ligjit shkojmë po vetë dhe kërkojmë mendim më sipër,” shprehet Lame gatë një interviste televizive. /a.sh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.