Durrës/ Policia godet një rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në lokalet e natës

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të planit për kontrollin e elementëve kontingjent në lokalet e natës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se në zonën e Shkozetit janë përshtatur lokale për përdorim droge, si dhe shpërndahet dhe konsumohet lëndë narkotike, mbrëmjen e djeshme kanë ushtruar kontroll ku është konstatuar një rast i drogave të forta.

Si rezultat është vënë në pranga shtetasi E.K., 25 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe u procedua në gjendje të lirë pronari i lokalit, shtetasi S.M., 27 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale ” Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit S.M., i cili kishte përshtatur ambientet për konsumim të lëndëve narkotike, në tavolinën e shtetasit E.K., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale doza lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë, një kapak metalik me mbetje të lëndës narkotike dhe kartëmonedha në formë tubi, me anë të cilave ishin konsumuar lëndë narkotike. /a.sh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.