Bashkëqeverisja/ Një tjetër shembull për këdo që me një klik gjen “mikun”

TIRANË, 12 tetor/ATSH/- Qytetarit nga Korça, Aleks Sotiri, iu zgjidh problemi që kishte me një kompani, e cila pranë pronës së tij kishte vendosur një bombul gazi prej 4850 litra, pas ankesës drejtuar platformës së bashkëqeverisjes pranë “shqiperiaqeduam.al”.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me rastin e Aleksit, duke dhënë një tjetër shembull për këdo që i drejtohet platformës.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e Aleksit nga Korça, që i’u drejtua platformës shqiperiaqeduam.al dhe jep një tjetër shembull për këdo që me një klik gjen “mikun”, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.

“Këtu jemi në hyrje të ish magazinës së shfrytëzimit të përpunimit të drurit. Pjesa përpara është pjesa që e kam privatizuar unë me ndarjen nga shoqëria në ’97. Në 2014 marr një lajmërim nga vëllai im që në pjesën time është vënë një bombul 4850 litra gaz metan që është një bombë. Është e rrezikshme jo vetëm për truallin tim, por edhe tek unë nuk është marrë asnjë lloj leje. Ky është objekti im, që është transformuar në rrobaqepësi, ku punojnë rreth 50 punëtorë. Imagjino se çfarë katastrofe mund të bëhej nëse shpërthente bombula”, – thekson Sotiri.

Ai shprehet se pasi shkoi në të gjitha institucionet ligjore, që nga bashkia, zjarrfikëset, u detyrua ti shkruaj platformës se nuk po gjente zgjidhje.

“Quhem Aleks Sotiri nga Korça. Në vitin 1996 së bashku me 6 ortakë të tjerë privatizuam N.SH të Pyjeve në Korçë dhe sipas kontributit mora në pronësi një magazinë. Në oborrin e magazinës rreth 9m2, pronësi e mija, një kompani pa miratimin ka vendosur një depozitë metani prej 4850 litra për arsyet e tyre. Sipas verifikimeve që kam bërë deri tani kjo depozitë është jashtë kushteve teknike, shumë e rrezikshme për 50 punonjësit e rrobaqepësisë shumë afër depozitës së gazit. Jam përpjekur shumë por ende nuk kam marrë zgjidhje”, shkruan Sotiri në letrën drejtuar e platformës së bashkëqeverisjes.

“‘Pasi i shkrova platformës u zhvendos depozita që këtu në pronën e kompanisë”, tha Sotiri./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.