57.6 milionë euro për bujqësinë nga IPARD 2/Krifca: Mbështetje fermerëve nga serrat, tek agroturizmi

TIRANË, 12 tetor/ATSH/- Me një shumë prej 57.6 milionë euro, duke nisur nga 30 tetori hapet thirrja e dytë për programin e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural IPARD 2 në mbështetje të fermerëve shqiptare.

Në një intervistë për ERTV, Drejtorja e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, bëri të ditur se cilat investimet do të mbështeten dhe përfitimet e fermerëve.

“Ne kemi shpallur tashmë thirrjen e dytë të programit IPARD 2. E kemi bërë këtë për t’i dhënë mundësinë të gjitha subjekteve që janë skualifikuar në thirrjen e parë që e kanë validuar dosjen e aplikimit pranë AZHBR. Thirrja e dytë ka në dispozicion 57.6 milionë euro të cilat shpërndahen në tre masa. Masa e parë, është masa e investimeve në fermë, për serra si edhe agropërpunimi i fruta perimeve, i mishit, pra bulmeti, djathit dhe i verës, deklaroi Krifca.

Gjithashtu, shtoi ajo, “do të mbështetet edhe diversifikimi i fermës që ka të bëjë me një mori zërash që nga akuakultura te bimët mjekësore, masat e turizmit rural, agroturizmi ku përfshihen nevoja të gjera të fermerit.

Drejtoresha e AZHBR-së theksoi se “në masën e parë, mbulimi me grant shkon deri në 70% të investimit për zonat malore dhe 65% për fermerët e rinj. 60 % për gjithë të tjerët”.

“Tavani në masën e parë është deri në 500 mijë euro investim. Për masën numër tre financimi është 50 për qind e investimit. Në masën numër tre tavani shkon deri në 2 milionë euro investim. Në masën 7, financohet 65 për qind grant në tavanin 400 mijë euro”, shtoi Krifca.

Fermerët mund të aplikojnë për thirrjen e IPARD 2, nga 30 tetori deri në 16 dhjetor duke dorëzuar dokumentacionin e aplikimit në AZHBR.

Lidhur me dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, dosja duhet të përmbajë një biznes plan për investimet që shkojnë 20 mijë euro e sipër dhe një projekt teknik.

Gjithashtu nevojitet dokumentacioni që vërteton se aplikanti është fermer që ka të paktën një eksperiencë trevjeçare në menaxhimin e fermës. Nëse nuk e ka këtë eksperiencë, deri në fund të investimit duhet të tregojë që do të edukohet për të menaxhuar një fermë dhe këtë e menaxhon Universiteti Bujqësor ku ofrohen klasa edukimi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.