Shfaqjet nuk ndalen në teatrin “Bylis”, kalendar i mirëmenduar artistik

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Shfaqjet artistike nuk do të ndalen në teatrin “Bylis” në Fier.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, drejtoresha e TKOB, Zana Çela dhe drejtori i Tetarit “Bylis”, Astrit Hasani dolën sot në një konferencë për shtyp në lidhje me programin shoqërues të festës së “Çlirimit” të qytetit dhe vijimësinë e bashkëpunimit me TKOB.

“Jam shumë i kënaqur që rikthejmë bashkëpunimin me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, pas një përvoje pozitive të mëparshme. Në këtë skenë të rikonstruktuar, bashkëkohorë, nuk ka si të mungojnë shfaqje të nivelit botëror me emra të njohur të artit brenda dhe jashtë vendit”, tha Subashi.

Ai shprehu bindjen se “mbrëmjet e 15 dhe 16 tetorit do të lënë pa fjalë artdashësit fierakë me Operetën “Lakuriqi i natës”, duke rikthyer në teatrin ‘Bylis’ mrekullinë që të dhuron ky zhanër”.

“Shfaqjet nuk do të ndalen. Bashkë me Drejtoreshën e TKOB Zana Çela kemi gati tashmë një kalendar shfaqjesh në teatrin ‘Bylis’ edhe në vazhdim, e cila do të shërbejë si një busull artistike për qytetarët e Fierit, por dhe për turistët”, tha kryetari i Bashkisë Fier.

Në të njëjtin sinkron ishte dhe drejtoresha e TKOB, Zana Çela e cila shtoi se “Operetta ‘Lakuriqi i natës’, që do të shfaqet në Teatrin ‘Bylis’ më 15 – 16 Tetor është një nga shfaqjet më të bukura të TKOB që do të pasohet me një kalendar të mirëmenduar dhe të dakordësuar më parë me kryetarin e bashkisë Fier dhe Drejtorin e Teatrit “Bylis””.

“Publiku i Fierit di të vlerësojë artin dhe të bukurën dhe jam e bindur që kjo skenë kaq e bukur tashmë është gati të mirëpresë vepra të nivelit botëror”, tha ajo.

Duke i mëshuar më shumë pjesëmarrjes dhe afrimit sa më pranë teatrit të artëdashësve fierakë, drejtori i tetarit “Bylis”, Astrit Hasani përcolli njëkohësisht dhe përshtypjet e tyre për shfaqjen e pak ditëve më parë e cila ka hapur siparin e operetave në Fier./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.