Rritet punësimi në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

TIRANË, 11 tetor /ATSH/- Mbi 80% e totalit të të punësuarve në Shqipëri janë të angazhuar në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë 99.8% të bizneseve aktive në vendin tonë.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si një nga sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit  synon diversifikimin e saj drejt një zhvillimi më të përshpejtuar në kushtet e konkurrencës dhe integrimit europian.

Por rritja e tyre has pengesa për kreditimin, përfshirë mungesën e një kolaterali. Aktiviteti i organizuar ditët e fundit në Tiranë, nga Banka Botërore në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë solli bashkë në seminarin “Roli i sektorit financiar si katalizator i rritjes ekonomike” ku përfaqësues nga institucione të ndryshme publike dhe sektori bankar, diskutuan si mund të kapërcehen pengesat, përfshirë edhe skemat e garantimit të kredive.

Sipas statistikave, përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me rreth 73,4%, e zë sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Sektori i ndërtimit ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e vogla me 30,1%, ndërsa në sektorin e industrisë përpunuese përqindja e punësimit në këto ndërmarrje zë mbi 37%.

e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.