Minishengeni Ballkanik, Xhafaj: Impakt shumë i madh në lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, deklaroi sot se minishengeni Ballkanik ka të bëjë me 4 liritë themelore, lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve.

Në një intervistë televizive, Xhafaj tha se, “nuk ka një dokument të firmosur, por ka një dokument që vendos se cili është qëllimi që duhet të arrihet me liberalizimin e komunikimit të lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ka të bëjë me 4 liritë themelore, lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe njerëzve”.

Ai shtoi se, “iniciativa e 3 vendeve është që të nisi jo më vonë se viti 2021. Impakti do të jetë shumë i madh. Nuk do të kemi vende që garojnë me njëri tjetrin, por një model zhvillimi rajonal. Është një nismë e domosdoshme dhe deri diku e vonuar”.

I pyetur nëse ka pasur një ftesë për Kosovën, Xhafaj tha se, “Kosova është ende në mbyllje të një procesi elektoral dhe ende nuk ka një rezultat zyrtar të miratuar nga KQZ. Rrjedhimisht, qeveria e re do të ketë edhe prioritetet e veta edhe për politikën e jashtme. Ajo që është theksuar dje, është se nisma do të jetë e hapur. Nuk duhet të lexojmë tej mase atë që nuk është në këtë proces. Ky është një proces si hapur në kuadër të procesit të Berlinit.

“Minishengen pa Kosovën nuk ka. Ka një ngërç në marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet kaluar”, theksoi zv/ministri Xhafaj.

“Në 10 nëntor do të studiohet dokumenti i parë strategjik i këtij procesi. Do të ketë disa dokumente të tilla. Ky nuk është vetëm një proces hapje apo heqje kufijsh, por i bazuar te bashkëpunimi”, shtoi ai.

Sa i përket hapjes së negociatave, Xhafaj u shpreh se, “hapja e negociatave dhe BE kanë qenë një spirancë shumë e fortë për të gjitha reformat që janë ndërmarrë. Historia e BE është e bazuar mbi një model specifik kushtesh. Ajo që po ndodh sot është që po harrohet se procesi i negociatave është një proces përmirësimi i të gjitha politikave dhe sektorëve brenda vendit. Po vihen kushte apriori. Ne i kemi pranuar këto kushte, por kemi të bëjmë me pak konfuzion në këtë nivel. Kjo do të thotë se deri tani ka pasur një proces konkret, disa kushte, një organizëm që është komisioni Europian që i ka monitoruar këto kushte dhe pastaj kanë qenë alternativat e tjera. Ka një teori tjetër që thotë se nuk i kemi plotësuar kushtet. Në fakt, organizmi që i monitoron kushtet na thotë se i kemi plotësuar kushtet. Kemi konfuzion”.

I pyetur për kushtet, Xhafaj tha se, “kushtet janë vendosur nga Komisioni Europian. Janë 5 prioritetet dhe ato kanë qenë kushtet që janë përmbushur për të marrë një “Ok”. Ne jemi duke shpresuar dhe duke punuar që në datën 18 të kemi një “po”, pavarësisht kushteve apo datave. Për ne është e rëndësishme hapja e negociatave dhe më pas përmbushja e kushteve është një detyrim, të cilin qeveria ja ka vendosur vetvetes edhe nëse nuk do të kishte kushte”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.