“Jashtë bie borë”, çel siparin e Festivalit Ndërkombëtar Teatror “ Skampa 21”

TIRANË, 11 tetor/ATSH/- Tre artistët nga Tetova e Maqedonisë së Veriut kanë interpretuar me mjaft profesionalizëm psiko-dramën “Jashtë bie borë”, e cila përmes komikes përpiqet të pasqyrojë jetën e përditshme ose realitetin ku jetojmë, marrëdhëniet familjare , veçanërisht në një kohë kur emigracioni është thuajse në kulmin e tij dhe të gjithë kanë dikë në shtëpi, për të cilin duhet të kujdesen.

Artëdashësit elbasanas kishin mbushur plot sallën e teatrit, ku nuk ka munguar edhe pjesëmarrja e kreut të bashkisë së Elbasan Gledian Llatja, i cili ka përshëndetur këtë event të kthyer tashmë në traditë në “ Skampa”.

“Është kënaqësi të përshëndes festivalin këtu në Elbasan, ku lartësohen vlerat njerëzore përmes artit. Festivali është bërë pjesë e trashëgimisë sonë të re kulturore si një event i pritshëm në dobi të audiencave dhe komunitetit teatror, jo vetëm për qytetin tonë artdashës, por edhe më gjerë. Jam i vendosur për të mbështetur këtë event, i cili padyshim ndikon në rritjen e cilësisë së jetës qytetare, por që njëkohësisht shërben si një mundësi e shkëlqyer në krijimin e një identiteti unik, multikulturor, që e shndërron Elbasanin, përgjatë kësaj feste ndërkombëtare teatrore , në një kryeqytet të kulturës”, tha Llatja.

“Jashtë bie borë” ka ardhur me regji të Qëndrim Rijani, autor Vincenzo Salame, si dhe interpretuar nga aktorët Rushan Hamidi, Berzat Jakupi, Ndriçimi Lingting.

Një shfaqe me tre personazhe tragjikomikë: A do të vazhdojnë të jetojnë në një shtëpi? A do të shkojë gjithsecili në punën e vet? A do ti japin fund jetës apo do të jetojnë të lumtur së bashku? Autori i jep përgjigje në një mënyrë të përsosur. Kufiri ndërmjet normales dhe anormales është vetëm një armë për të pasur pushtet./m.s/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.