Durrës/ Nuk prishën ndërtimet e paligjshme në Manëz, procedim penal për tre inspektorë të IMT  

TIRANË, 11 Tetor /ATSH/ -Tre inspektorë të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës janë proceduar penalisht pasi nuk kanë marrë masa për prishjen e disa objekteve të paligjshme në në zonën e Manzës, Durrës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj tre Inspektorëve të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës, konkretisht: S. M., 43 vjeç, B. M., 37 vjeç dhe D. M., 35 vjeç, banues në Durrës.

Nga verifikimet e kryera nga ana e specialistëve të krimit ekonomik ka rezultuar se shtetasit e mësipërm, megjithëse kanë kryer dhe kanë mbajtur procesverbalet e konstatimit dhe të prishjes së objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në zonën e Manzës, Durrës, nuk kanë marrë masa për prishjen e tyre.

Gjithashtu, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Gj. Z., 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi dyshohet se ka ndërtuar një objekt pa leje në vlerën 70 000 €, me para të ardhura nga veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

/gj.mima/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.