Ahmetaj: Ulja e borxhit publik të kthehet në një objektiv patriotik

Tiranë, 11 Tetor/ATSH/- Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj deklaroi të premten se ulja e borxhit publik mbetet një domosdoshmëri dhe duhet të kthehet në një objektiv patriotik.

“Kemi pasur presion për të rritur borxhin, edhe Kryeministri edhe ministrja ka presion për të rritur borxhin. Por, ulja e borxhit duhet të kthehet në domosdoshmëri dhe objektiv patriotik. Duhet të edukohemi mbi dëmin që sjell borxhi në financat publike, në ekonomi dhe te qytetarët”, deklaroi Ahmetaj.

Duke folur në konferencë vjetore të Bankës së Shqipërisë, Ahmetaj po ashtu vuri në dukje se një sërë reformash dhe masash të ndërmarra në vitet e fundit kanë prodhuar rezultate të prekshme në ekonomi, si ulja e nivelit të kredive të këqija.

“Kur nisem reformën në sistemin financiar kërkuam gjetjen e problematikave. Dhe një nga bankierët e vjetër që operon në vend nxirrte reformën në drejtësi. Është e domosdoshme dhe do të ndihmojë zhvillimin ekonomik. Por ka edhe një debat, si ka funksionuar reforma në sistemin financiar. Dhe së bashku me FMN, Bankën Botërore e Bankën e Shqipërisë duhet të krijojmë një traditë, të nxjerrim konkluzione se si ka funksionuar. Kjo për të parë se çfarë ka ndodhur, çfarë nuk ka funksionuar, në mënyrë që në të ardhmen të mos përsërisim të njëjtat gabime”, deklaroi kreu i Komisionit.

Edhe formalizimi, sipas tij, është i domosdoshëm për konsolidimin e ekonomisë por edhe reformat.

“Nuk ka rishpërndarje të shëndetshme nëse nuk merren reforma. Ditën që ndalojnë reformat aty premisat krijohen jo për ngadalësim por për gropë“, vuri në dukje Ahmetaj.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.