Sipërmarrësit italianë interes për të investuar në energji, turizëm dhe bujqësi

TIRANE, 10 Tetor/ATSH/- Energjia, turizmi dhe bujqësia janë tre sektorët që kanë ngjallur interesin e sipërmarrjes italiane për investime në vendin tonë.

Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi zhvilloi një takim me sipërmarrës italianë.

“Janë gjithmonë e më të shpeshta takimet me sipërmarrës italianë  të kërkuara nga Confindustria Albania. Të ardhur nga zona të ndryshme të Italisë, diskutuam mbi potencialet e vendit tonë në sektorin e energjetikës, turizmit dhe bujqësisë. Një bashkëbisedim interesant dhe këmbim i vlefshëm eksperiencash”, theksoi ministri Shalsi.

Ministri informoi se të interesuar për të kryer investime në Shqipëri janë dhe kompani të tjera prestigjoze që aktivitetin e tyre e kanë shtrirë në shtete të ndryshme të botës.

“Rritjes së interesit për të investuar në vendin tonë po i përgjigjemi me përmirësimin e funksionimit të institucioneve, kualifikimin e burimeve njerëzore dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin”, tha Shalsi.

 

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.