Ruçi me të sapodiplomuarit: Kuvendi dhe universitetet, përfitime nga bashkëpunimi mes tyre

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndeti sot studentët e sapodiplomuar në Universitetin Luarasi. “Diplomimi është kurorëzimi i investimit më të rëndësishem kulturor, profesional, rinor, dhe shoqëror në jetën e gjithsecilit prej jush”, theksoi ai, duke shtuar se vetë është në profesion mësues dhe në ayo çaste, nuk i rezistonte dot nostalgjisë.

Ruçi iu drejtua në fjalën e tij, në radhë të parë, juristëve të sapodiplomuar.

” Shqipëria po përjeton një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë. Kush më mirë se ju, juristet dhe juristët e rinj, do të shërbejnë dhe duhet të shërbejnë në këto institucione? Mos hezitoni të guxoni, të konkurroni dhe të fitoni. Në treg, asgjë nuk dhurohet”, tha Ruçi.

Sipas tij, Reforma në Drejtësi dhe Vetingu vërtet janë origjinale dhe një histori suksesi për Shqipërinë, por ato nuk mund të quhen të suksesshme, nëse nuk pasohen nga dhënia e drejtësisë.

Për ekonomistët e rinj ai u sugjeroi të mendojnë si mund ta bëjmë ekonominë tonë më produktive e konkurruese në rajon.

Për ekspertët e rinj në teknologjinë e informacionit, Ruçi tha se “ky shekull dhe kjo epokë janë tuajat”.

“Mos krijoni varësi as prej shtetit, as prej punëdhënësve. Start-up-et kanë lindur për ju dhe ju jini përgatitur për to. Ndiqni shembullin e të rinjve të talentuar në vendet e tjera që krijojnë punë për veten e tyre dhe për të tjerët”, theksoi ai.

“Kuvendi ka nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe qendra kërkimore të vendit. Në fillim të kësaj jave, Kuvendi dhe universitetet, bëmë një bilanc të bashkëpunimit tonë. Konstatuam se të dy palët kemi përfituar dhe po përfitojmë prej tyre: Kuvendi për të tërhequr mendimin e kualifikuar shkencor në ligjbërje e kontroll parlamentar, dhe universitetet për të rritur aksesin në programet dhe projejtet për fuqizimin e ekonomisë, mirëqenies dhe jetës shoqërore”, theksoi kreu i Kuvendit. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.