Projektligji “Për ushqimin” kalon për konsultim publik

TIRANË, 10 tetor /ATSH/- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hedhur për konsultim publik projektligjin “për ushqimin”. Ndryshimet e propozuara synojnë forcimin e  sigurisë ushqimore dhe uljen e barrës së inspektimit tek bizneset.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, kalimi i kompetencave për inspektimin e 60% të bizneseve nga ISHSH tek AKU, parashikohet që të shoqërohet gjithashtu edhe me kalimin e 120 inspektorëve nga njëri institucion tek tjetri. Një tjetër ndryshim i bërë në ligj lidhet me ngritjen e një Komisioni të Posaçëm pranë Ministrisë së Bujqësisë për ankimimin e gjobave të vendosura ndaj bizneseve, kur vlera e përgjithshme e tyre në një inspektim të vetëm është mbi 300 mijë lekë.

Projektligji, ka për objektiv të sigurojë bazën për të garantuar që çdo hallkë e zinxhirit ushqimor të jetë shumë e fortë për të arritur synimin që shëndeti i konsumatorit të jetë plotësisht i mbrojtur. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.