Minishengeni Ballkanik, Rama-Vuçiç-Zaev: Përshpejtim i procesit për lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave e kapitalit

TIRANË, 10 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë Alexandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ranë dakord sot për përshpejtimin e procesit të jetësimit të 4 lirive të Bashkimit Europian në hapësirën e Ballkanit Perëndimor; lëvizje e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Novi Sad, ku edhe u zhvillua takimi i tre liderëve, Rama e cilësoi këtë takim të vlefshëm me një rezultat domethënës.

Rama tha se “kemi rëndë dakord që të mbështesim parimet e një deklarate të përbashkët titulli i së cilës i thotë të gjitha: Implementimi i 4 lirive themelore të Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Ky takim nuk ka ardhur nga hiçi, por dëshiroj ta bëj shumë të qartë, që nuk synon asnjë ekskluzivitet. Përkundrazi, është një hap me synimin për një proces gjithëpërfshirës. Në deklaratë do të mund të lexoni lehtësisht se flitet gjatë gjithë kohës për Western Balkan Six, por nga ana tjetër ka një rrugë që na sjell deri këtu, një proces që na ka angazhuar të gjithëve me mbështetjen e partnerëve tanë europianë nga ku kemi mundur të mësojmë s e duhet të bëjmë më shumë pa pritur më shumë nga të tjerët”, – tha Rama.

Ai shtoi se “duhet të bëjmë më shumë në funksion të njerëzve tanë, të lëvizjes së lirë në këtë territor, të lëvizjes së mallrave dhe të shërbimeve për kapitale në këtë territor, ku mjafton vetëm një shembull për të kuptuar se sa e nevojshme është të shtyjmë sot përpara”.

Kryeministri Rama tha se “janë 26 milionë orë në vit pritje në kufijtë respektivë”.

“Theksoj se pavarësisht se e dimë botërisht që ka çështje të hapura në zemër të këtij rajoni, kjo nuk duhet të na pengojë që duke rënë dakord të mos biem dakord për këto çështje, të dakordësohemi për ato që na bashkojnë në funksion të qytetarëve të gjithë këtij rajoni”, – tha Rama.

Rama tha se “në vitin 2017, në takimin e radhës të procesit të Berlinit, në Trieste, ramë dakord për një plan veprimi në funksion të zonës rajonale ekonomike”. “Dhe 2 vjet prej asaj dakordësie nuk është se kanë ndodhur mjaftueshëm gjëra, që janë përkthyer në më shumë rritje ekonomike, më shumë punësim, integrim vendor etj. Pra, në thelb, qëllimi që na ka bashkuar në këtë format është të shtyjmë përpara me shumë më tepër energji procese që në letër janë shkruar dhe janë miratuar më shumë se njëherë dhe të mos presim që këtë ta bëjnë të tjerët për ne, se në fund të fundit ne në Shqipëri kemi një proverb: I zoti e nxjerr gomarin nga balta”, – tha Rama.

Tre liderët kanë vendosur që në 10 nëntor në Ohër, do të zhvillohet takimi tjetër, ku do të ftohen t’i bashkohen procesit Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Por, si dhe kur lindi ideja e minishengenit Ballkanik?

Në fakt, kjo ide dhe të gjitha gjërat të cilat po arrihen sot, janë një vullnet dhe dakordësi e gjashtë vendeve të Ballkanit të para dy viteve.

Ishte korriku i vitit 2017, ku liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Macron zhvilluan Samitin e Triestes. E pikërisht në këtë Samit, të gjashtë vendet ranë dakord për lëvizjen e lirë mes tyre.

Pra, për të gjitha çështjet që folën sot Rama-Vuçiç-Zaev, janë çështje për të cilat është rënë dakord mes gjashtë vendeve të Ballkanit që në korrik të 2017-ës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.