Finalizohet operacioni antikontrabandë “Zëmblaku”, goditen dy raste

TIRANË, 10 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kontrabandës me mallra, finalizuan operacionin policor e koduar “Zëmblaku”, si rezultat i të cilit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: N.V, 42 vjeç, banues në Korçë.  Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: N.B, 58 vjeç, banues në Durrës (me detyrë doganier pranë Doganës së Kapshticës) dhe  E.Sh, 22 vjeç, banues në Tiranë.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se në autobusat e linjave Athinë-Shqipëri dhe Turqi-Shqipëri, transportoheshin mallra të dyshuara kontrabandë, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kapshticë-Korçë, në afërsi të fshatit Zëmblak, në mjetin autobus tip “Setra”, me drejtues shtetasin N.V., si edhe në mjetin autobus tip “Benz” në të cilin udhëtonte si pasagjer shtetasi E.Sh., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 50 kg midhje (shpuese shkëmbi), produkt i ndaluar që prej vitit 2013, për të hyrë dhe për t’u tregëtuar në Republikën e Shqipërisë.  Një sasi medikamentesh, veshjesh dhe pajisjesh të ndryshme, të cilat shtetasit e mësipërm dyshohet se i kanë kaluar kontrabandë, pa i deklaruar tek autoritetet doganore në Kapshticë.

Shtetasi N.B, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos ushtruar kontroll në mjetin tip “Setra”, me drejtues shtetasin N.V.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.