Drejtoresha e Tatimeve, Ibrahimaj për ATSH-në: Rreth 3800 biznese më shumë sesa viti i kaluar hynë në skemën e TVSH-së

TIRANË, 10 tetor /ATSH/- Numri i subjekteve aktivë në fund të muajit shtator 2019, u rrit me 1788 biznese më shumë krahasuar me vitin 2018 (pa përllogaritur këtu bizneset fermere).

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) tha se, të dhënat e sistemit tatimor janë në dinamikë zhvillimi, çka do të thotë se ato ndryshojnë ditë pas dite me trend pozitiv.

Ajo e argumentoi trendin pozitiv me faktin se, gjatë vitit 2019 krahasuar me një vit më parë, kanë hyrë në skemën e TVSH-së rreth 3783 biznese më shumë se sa viti i kaluar.

Ibrahimaj shpjegoi se dinamika e ndryshimeve prek edhe regjistrimet e bizneseve të reja, ndryshimet në statusin e tyre, pra që mund të kalojnë nga një biznes pa TVSH në biznes me TVSH.

“Kalimi i përgjegjësive tregon për një aktivitet të shtuar të tyre, të cilat ndahen sipas vlerës së xhiros vjetore që kryejnë”, – tha Drejtoresha e Tatimeve për ATSH-në.

Ndërkohë që lehtësimi i procedurave të regjistrimit dhe politikat në nxitje të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, kanë ndikuar në rritjen e regjistrimit dhe konsolidimit të bizneseve.

Sipas saj, numri i tatimpaguesve të rinj të regjistruar (pa llogaritur bizneset fermerë) për 9-mujorin 2019 është 12816, nga të cilët 617 tatimpagues janë regjistruar si biznes i madh.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve shpjegoi se, në rajone të ndryshme të vendit fluksi i bizneseve është i ndryshëm. “Tirana është bashkia që ka numrin më të madh të biznese të operojnë në vendin tonë. Për të vijuar me qytetet e tjera, që kanë shënuar rritje të ndjeshme të bizneseve aktive apo të riregjistruara, siç është Durrësi, Elbasani, Vlora etj.”, -tha Ibrahimi për ATSH-në.

e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.