Qendra riedukimi për burrat që trajtojnë keq gratë, mbrojtje direkte për të dhunuarat

TIRANË, 9 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “duhet të mendojmë edhe për qendra riedukimi për burrat që i trajtojnë keq gratë”, pasi sipas tij, “dhuna në familje ka po ashtu ndikim në gjithë shoqërinë në aspektin ekonomik e social”.

Rama mori pjesë në Forumin Rajonal që u organizua në Tiranë me temë: “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”.

“Jam dakord me të gjitha përpjekjet e deritanishme që janë vënë në dispozicion përmes qendrave për trajtimin e grave që janë objekt i dhunës në familje e me radhë. Por duhet të mendojmë edhe për qendra riedukimi për burrat që i trajtojnë gratë keq. Nuk duhet të jetë kaq e thjesht, nëse thjesht e bën dhe i shpëton kësaj për shkak të një sistemi të kalbur të drejtësisë”, tha Rama.

Sipas tij, nuk duhet të mjaftohemi me faktin se burrat dhunues thjesht denoncohen, por duhet të ketë edhe një të mesme që do t’i bëjë këta burra të japin llogari për çdo veprim të gabuar që bëjnë kundrejt grave apo familjes”.

“Është shumë e rëndësishme që ta çojmë përpara këtë axhendë. Dhuna në familje nuk është një çështje e izoluar në rrethin e grave, por ka ndikim në gjithë shoqërinë në aspektin ekonomik e social, ndaj duhet të bëjmë më tepër për t’i bërë burrat të mbajnë përgjegjësi”, tha Rama.

Ai theksoi se “duhet t’i ofrojmë grave një mbrojtje të drejtpërdrejt dhe të menjëhershme dhe nuk duhet të presim që procesi të zgjas pafundësisht”.

“Unë marr shumë mesazhe nga njerëz përditë dhe nuk ka një ditë të vetme që unë të mos marrë një mesazh nga një grua e cila ndihet e braktisur, e lënë mënjanë apo që nuk po merr mbrojtjen që ka nevojë. Kjo është shumë shqetësuese, pasi nuk mjafton vetëm të themi shko raportoje e denoncoje, duhet që të ofrojmë një garanci dhe mbështetje direkte dhe të drejtpërdrejtë. Mendoj se edhe burrat që janë të dyshuar, apo që kanë gjasa se mund të ushtrojnë dhunë, duhet të largohen nga shtëpia dhe të izolohen. Se ku dhe se si, kjo është një pikëpyetje shumë e madhe për të cilën duhet të diskutojmë”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.