Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk kaluan Vetingun, Rama: Janë sot grupi më i madh kriminal

TIRANË, 9 tetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se “ka ardhur koha që të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar Vetingun dhe që e dinë që nuk e kalojnë atë”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se “këta prokurorë dhe gjykatës kanë nxjerrë edhe një togfjalësh me njëri-tjetrin, ‘Kap çfarë të kapësh’. Këtë grupin KÇK, ky duhet ta shpallë në kërkim dhe e them jo në mënyrë metaforike, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këtë grupin duhet ta shpallim në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu të gjithë së bashku”.

“Është e kotë t’i bëjmë njëri tjetrit predikime dhe është e kotë nga tryezat e opozitës të ngrihemi dhe të fajësojmë qeverinë apo nga tryezat e qeverisë të ngrihemi dhe të justifikojmë”, – theksoi Rama.

Sipas tij, procesi i Vetingut për të përfunduar kuptohet do të kërkojë disa vjet.
Por, vijoi Rama, ne nuk mund të lejojmë që edhe për disa vjet të tjera prokurorë si ai Durrësit, gjykatës si ai në Durrës apo plot të tjerë si ata të bëjnë kërdinë mbi njerëzit.

Kreu i qeverisë u shpreh se “çdo ditë marr mesazhe siç i merrni ju të gjithë ose nga situata që i njihni ju të gjithë nga njerëz që po çapëlohen nëpër prokurori dhe gjykata.

“E dëgjova të nderuarin gojëtar të opozitës, madje kur erdha thashë kush po zihet në sallë se dëgjohej ulërima deri jashtë kur po fliste të mëdhenj e të vegjël, kur po thoshte shteti është ai që merret me të mëdhenjtë e me të fortët. Jam shumë dakord, por si i bëhet kur shteti, ai kishte parasysh vetëm ne, por shteti nuk jemi vetëm ne, shteti janë edhe prokuroritë dhe gjykatat, që s’kanë lidhje me ne. Si i bëhet kur çon në prokurori dhjetëra sipërmarrje të mëdha, jo të vogla që bëjnë abuzime skandaloze me tatimin për vlerën e shtuar dhe askush prej tyre nuk mbahet brenda, por përkundrazi paguajnë dhe ikin. Paguajnë dhe ikin se bien në duar prokuroresh se janë KÇK”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama ritheksoi edhe njëherë se shpallja në kërkim e KÇK është objektivi që duhet “të kemi ne si parlament një orë e më parë”.

“Nuk ka asgjë që ne mund të na ndalojë apo justifikojë para njerëzve. Nuk mjafton më, përkundrazi po bëhet bajate. Një grua më shkruante tani nga Gjirokastra, e dhunuar nga burri, me urdhër mbrojtje detyrohet të përballet me një vendim tjetër të një KÇK, që vë mbrojtje burrin, dhunuesin dhe detyron me urdhër mbrojtje gruan që t’i hapë derën burrit, se përndryshe gruaja kthehet në objekt të forcave të rendit. Si i bëhet, si mundem unë të mjaftohem t’i them këta janë kriminelë janë më keq se burri yt”, – tha Rama.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.