Negociatat/ Holanda mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarrë vitin e fundit nga Shqipëria

TIRANË, 9 Tetor /ATSH/ – Holanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit nga Shqipëria.

Ambasada e Holandës në Tiranë ka shpërndarë sot një qëndrim të qeverisë holandeze ku njoftohet fakti që Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në datën 15 Tetor, Këshilli i Ministrave do të diskutojë në Luksemburg në lidhje me zgjerimin dhe do të vendose në mënyrë unanime.

Vendet kandidate duhet të përmbushin kushtet strikte përpara se të bëjnë një hap tjetër në procesin e integrimit.

“Holanda ndjek në mënyrë kritike progresin në të dyja vendet dhe është e mendimit se Këshilli duhet të vlerësojë secilin vend sipas meritave të veta”, thuhet në deklaratë.

“Në Qershor 2018, Këshilli parashtroi një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Maqedonia e Veriut përpara hapjes së negociatave. Progresi i bërë është inkurajues. Gjithashtu marrëveshja e Prespës është një shembull për rajonin. Vazhdimësia e rasteve të ndërmarra nga Prokuroria Speciale është siguruar me dorëzimin tek Prokurori i Përgjithshëm. Një hap i rëndësishëm që ende duhet të ndërmerret është miratimi i ligjit që garanton prokurorinë e pavarur në rastet e ardhshme të korrupsionit në nivelet e larta”, vijon deklarata.

“Këshilli ka parashtruar një sërë kriteresh për t’u përmbushur nga Shqipëria përpara hapjes së negociatave. Holanda e mirëpret punën e madhe dhe hapat e ndërmarra në vitin e fundit. Holanda mendon se më shumë punë duhet bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga ambasada e Holandës.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.