Ndryshim i thellë me Maqedoninë e Veriut, Rama: Opozita jashtëparlamentare bojkotoi zgjedhjet për të minuar negociatat

TIRANË, 9 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Pavarësisht konfliktit të brendshëm politik, opozita në Maqedoninë e Veriut, as dje as sot, nuk merr rrugët e Europës për të bërë të pabërën për vendin e vet, ndërsa opozita jashtëparlamentare në Shqipëri braktisi parlamentin, dogji mandatet e bojkotoi zgjedhjet vetëm me një qëllim, për të minuar çeljen e negociatave”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancë plenare, Rama tha se “të gjithë ata që janë përpjekur të thonë se ndarja në propagandë apo në qëndrime mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të çojë në një ndarje të gjykimit të përgjithshëm, jo vetëm kanë gabuar, por kanë dështuar në përgatitjen e një terreni politik këtu në funksion të axhendës së tyre politike”.

Kryeministri shtoi se “ka një ndryshim të madh që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime, dhe ky ndrysim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu”.

“Flas për opozitën që nuk është e pranishme në parlament, e braktisi parlamentin, dogji mandatet e bojkotoi zgjedhjet vetëm me një qëllim, për të minuar çeljen e negociatave”, tha Rama.

Maqedonia e Veriut, sipas tij, “nuk është një vend pa konflikte, madje konflikti politik për arsye krejt të ndryshme nga konflikti i brendshëm politik në Shqipëri, ka frymëzuar edhe qasjen destruktive të opozitës që nuk është në Kuvend dhe që në mënyrë naive ka besuar se duke kopjuar opozitën e deridjeshme të Maqedonisë së Veriut do të arrinte të gjunjëzonte shumicën legjitime në këtë vend”.

Rama tha se, “pavarësisht konfliktit të brendshëm politik, opozita në Maqedoninë e Veriut, as dje as sot, nuk merr rrugët e Europës për të bërë të pabërën për vendin e vetë”.

“Opozita në Maqedoninë e Veriut nuk furnizon çdo ditë kanalet e komunikimit me partitë simotra apo individë të caktuar për të ushqyer çdo ditë ata që, nuk është se janë kundër Shqipërisë, nuk është se kanë ndonjë gjë specifike me Shqipërinë, por kanë një qasje tjetër për arsyet e tyre legjitime në vendet e tyre. Kjo ka bërë një pjesë të rëndësishme të diferencës”, tha Rama.

Rama tha se në asnjë rezolutë, deklaratë apo fjalim në parlamentet e vendeve që janë  ngurruese ndaj procesit të zgjerimit, nuk është dëgjuar ndonjë fshat, qytezë apo qytezë periferike e Maqedonisë së Veriut, siç përmendet Peqini, Kavaja apo Dibra në gjermanisht e holandisht”.

“Kjo nuk ka bërë vaki, jo se atje nuk ka pasur probleme, nuk janë kontestuar zgjedhjet, nuk kanë ndodhur bojkote, nuk ka pasur deri edhe refuzim për të hyrë në zgjedhje. Këta që janë sot në qeveri në Maqedoninë e veriut kanë kërcënuar me braktisje të zgjedhjeve, sepse nuk kishin asnjë besim te procesi, por nuk kanë eksportuar në Europë historira që jashtë kufijve kanë vetëm një efekt, efektin e furnizimit me pseudo-argumente apo edhe me argumente të importuar të qëndrimeve të formësuara të forcave të caktuara politike apo individëve të caktuar kundër zgjerimit”, tha Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.