“Mbetësit” në Veting, ligj special në Kuvend kundër atyre me precedent kriminal

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ – Kryeministri Rama, në seancën e sotme plenare në Kuvend reagoi ashpër ndaj prokurorëve të Prokurorisë dhe gjykatave ku tha se janë kthyer në një grup që i shërbejnë vetëm interesit të tyre.

“Polica, po ju them dhe një herë tjetër e unë do t’ju sjellë këtu prapë se janë thënë por prapë janë harruar, do ju sjellë këtu sa herë policia ka dështuar në përballje me gjykatën për vrasës që pasi kanë dalë, kanë ri vrarë. Sa herë? Nuk janë as 2, as 5, as 100, janë qindra. KÇK-ja është grupi më i madh kriminal në Shqipëri sot, me fakte. Prokurorë dhe gjykatës që e dinë që Vetingun nuk e kalojnë dot. Si mundet një prokuror, ma thoni ju mua, të regjistrojë tokë, të dhuruar, në emër të gruas që paska qenë asistente apo kontabiliste e dikujt dhe ky dikush regjistron tokën 500 metra dhe prokurori e paska 50 000 metra”, – tha Rama.

Rreth kësaj çështje Rama u shpreh se: “Jo vetëm nuk u hyn gjemb në këmbë por e kanë bërë prokurorinë si kafene pasi policia i kap dhe prokuroria i nxjerr pas një kafeje të shkurtër, janë edhe të përfshirë në procese grabitjeje të tokave të të tjerëve dhe për të marrë tokën e tjetrit, apo për të legalizuar pallate me 7 kate pa leje”.

Kryeministri vijoi më tej duke thënë se: “Ky parlament duhet të reagojë ndaj këtyre dy kategorive në kushtet kur sot jemi në një proces tranzicioni të sistemit të drejtësisë që do garantojë patjetër në fund një sistem drejtësie që do të jetë i mjaftueshëm por që deri kur sistemi i përjetësisë të jetë i mjaftueshëm, nuk ka garanci, për asnjë”.

Këtë ndërhyrje, sipas Ramës mund t’i bëjë parlamenti e duhet t’i bëjë parlamenti me çdo çmim.

Rama theksoi në fjalën e tij se: “Shembja e pushtetit të KÇK-së dhe nga ana tjetër vendosmëria e transformuar në një ligj special kundër të gjithë atyre që janë me precedent kriminal, që janë të përfshirë në aktivitet me krimin e organizuar, që bëjnë të fortin, jo për t’u zgjedhur por për të zgjedhur çfarë duan ata, duhet të jenë imperativa të këtij parlamenti, o sot o kurrë e ju thash, shumë shpejt unë do sjell këtu ligjet për këtë punë se nuk ka rrugë tjetër”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.